Udhëheqësit botërorë dënuan të shtënat me armë zjarri ndaj kandidatit të pritur republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, një incident që tronditi fushatën zgjedhore në SHBA dhe rriti frikën për dhunë të mëtejshme politike.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi atë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) e cilësoi si tentim-vrasje.
“Sekretari i Përgjithshëm dënon këtë akt të dhunës politike. Ai i dërgon urimet e tij më të mira presidentit Trump për një shërim të shpejtë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Guterres, Stephan Dujarric.
Trump ishte duke folur në një tubim më 13 korrik në Pensilvaninë perëndimore kur u dëgjuan disa të shtëna. Më vonë, ai tha se një plumb i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.
Dy persona u vranë, përfshirë sulmuesin e dyshuar dhe dy persona që ishin në audiencë po ashtu u plagosën rëndë.
FBI ka identifikuar të dyshuarin si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Pensilvania.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se është i “tronditur” nga atentati ndaj Trumpit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga të shtënat.
“Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.
“I uroj Donald Trumpit shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes së viktimës së pafajshme”, shtoi ajo.
Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi tentim-vrasjen si “tragjedi për demokracitë tona”.
“Franca ndan me popullin amerikan tronditjen dhe zemërimin”, shkroi ai në X, duke i uruar Trumpit shërim të shpejtë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e cilësoi të neveritshëm sulmin ndaj Trumpit, duke shtuar se dhuna politike është kërcënim për demokracinë.
Edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka shprehur keqardhje për incidentin. Kina “është e shqetësuar” me të shtënat”, tha Ministria e Jashtme kineze.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e akuzoi administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, se ka krijuar një atmosferë që ka provokuar sulmin ndaj Trumpit.
“Ne nuk besojmë se tentimi për të eliminuar dhe vrarë Trumpin u organizua nga autoritetet aktuale”, tha Peskov për gazetarët.
“Por, atmosfera që administrata [e Bidenit] ka krijuar përmes betejave politike, atmosfera që e rrethon kandidatin Trump, ka provokuar atë me të cilën po përballet sot Aemerika”, shtoi ai.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se dhuna politike nuk është kurrë e pranueshme.
“Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump, ata që ishin në vendngjarje dhe të gjithë amerikanët”, tha ai në një postim për X.
Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ishte i tronditur, duke e dënuar ashpër sulmin.
“Edhe një herë ne jemi dëshmitarë të akteve të papranueshme të dhunës kundër përfaqësuesve politikë,” shkroi ai për X.
Ndërkaq, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ditë më parë e vizitoi Trumpin në shtëpinë e tij në Floridë tha se mendimet e tij dhe lutjet ishin me ish-presidentin e SHBA-së.
Presidenti i Ukrainës, i cili ka pasur një marrëdhënie të vështirë në të kaluarën me Trump, tha se ishte i tmerruar kur dëgjoi për të shtënat.
“Dhunë e tillë nuk ka justifikim dhe nuk ka vend askund në botë”, shkroi ai në X.
Shërim të shpejtë Trumpit i uroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Për atentatin ndaj Trumpit kanë reaguar edhe liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar tentim-vrasjen ndaj Trumpit, duke i uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.
“Mospajtimet politike në një demokraci gjithmonë duhet të shprehen përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen nga zgjedhje të lira dhe fer”, shkroi ai në X.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u solidarizua me Trumpin, familjen e tij dhe popullin amerikan.
“Çdo dhunë politike që ndodh kudo është absolutisht e papranueshme dhe ne e dënojmë fuqishëm”, tha ajo.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është shqetësuese që një kandidat për president në SHBA të qëllohet gjatë një fjalimi.
“Kjo është një tragjedi për botën demokratike”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur shqetësim për tentim-vrasjen, duke e dënuar “dhunën si mjet për përplasje politike”.
“I uroj shërim të shpejtë, duke e ditur se ai do të dalë nga kjo luftë edhe më i fortë”, shkroi ai në X.
Sulmi ndaj Trumpit u dënua edhe nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.
“Dhuna politike nuk ka dhunë në demokraci”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Të shtënat në Pensivlani ndodhën dy ditë para nisjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Republikane, ku Trump pritet të sigurojë nominimin e partisë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.