Siç raporton gazeta amerikane “New York Post”, teksa në dy vitet e fundit kishte arritur të kontrollonte peshën duke humbur disa kilogramë, lideri 39-vjeçar jo vetëm që e ka rifituar atë por ndoshta është edhe më i shëndoshë se më parë. Pesha e Kim Jong Un tani kalon 140 kg, siç raportohet nga botimi duke cituar burime nga Koreja e Jugut. Përveç mbipeshës, Kim Jong-un vuan nga ankthi i rëndë, i cili e bën atë të paaftë për të fjetur natën. Përveç kësaj, ai është strehuar te alkooli dhe duhanpirja.
Agjentët e shërbimit sekret të Seulit analizuan fotot e fundit të liderit të Koresë së Veriut me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe arritën në përfundimin se Kim, i cili është 1.72 cm i gjatë, kishte humbur 20 kilogramë dy vjet më parë, por tani është shëndoshur sërish. Qeverisja e vendit i shkakton mjaft stres, për pasojë përballet me pagjumësi. Por fakti që ai është i varur nga pija dhe cigaret, tregojnë se shëndeti i tij është mjaft i rënduar.
Ligjvënësi i Koresë së Jugut Yoo Sang-bum, një anëtar i komitetit parlamentar të inteligjencës në Seul, u tha gazetarëve se agjencitë e inteligjencës së vendit besojnë se Kim “mund të jetë duke përjetuar një çrregullim të rëndë gjumi, duke konsumuar sasi të mëdha alkooli dhe duhani.
Ai shtoi se spiunët e Seulit zbuluan se autoritetet e Koresë së Veriut po importonin sasi të barnave kundër pagjumësisë si Zolpidem dhe sasi të mëdha alkooli dhe cigaresh si Marlboro dhe Dunhill. Ligjvënësi i Koresë së Jugut pohoi gjithashtu se, “Kim Jong Un u shfaq i rraskapitur dhe me rrathë të errët poshtë syve në daljen e tij publike më 16 maj”.
Ai gjithashtu theksoi se është parë me “gërvishtje dhe mavijosje” në duar, të cilat dukej se ishin nga gërvishtjet për shkak të një kruarje që shkakton dermatit stresi. Gjendja shëndetësore e udhëheqësit Kim është një shqetësim i madh për Perëndimin dhe veçanërisht Korenë e Jugut.
Informacioni për liderin e vendit vjen me pakicë, duke pasur parasysh sekretin e Phenianit, me Perëndimin në gatishmëri të lartë. Fakti është se një ndryshim në udhëheqjen e Koresë së Veriut do të kishte implikime globale, siç komenton New York Post. Për këtë arsye, kur lideri i Koresë së Veriut nuk del në publik për një kohë të gjatë, thashethemet për shëndetin e tij janë të shfrenuara.