SHKUP- Lideri i partisë më të madhe opozitare LSDM, Zoran Zaev është i dyshuar në operacionin e koduar “Puçi”.

MPB theksoi se Zaev dhe tre persona të tjerë, mes tyre ish-shefi i shërbimit sekret DSK, Zoran Verushevski janë të dyshuar për rrezikim të rendit kushtetues të vendit dhe për puç apo marrje jodemokratike të pushtetit.

Sipas informacioneve të policisë, i dyshuari kryesor, ish-drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski nga viti 2012 deri tani kishte grumbulluar të dhëna sekrete lidhur me funksionimin e organeve shtetërore, në të gjitha sferat dhe se ato më pas i`a ka dorëzuar një shteti të huaj, raporton agjencia Ina.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të gjitha këto informacione gjithashtu i siguronte përmes Verushevskit, dhe se ato realizoheshin përmes takimeve të fshehta, me ndërmjetësimin edhe të një personi të tretë që njihet si funksionar lokal në komunën e Strumicës. E dyshuara e dytë në këtë operacion është bashkëshortja eVerushevskit, e cila të gjitha dokumentet i përkthente në gjuhën angleze dhe se i dorëzoheshin grupit, që më pas kalonin në shërbim të shtetit të huaj, organizatës apo personit që ishte me shërbim.

Zoran Zaev sipas aktakuzës është i dyshuari i katërt, në disa takime kokë më kokë dhe komunikimeve telefonike me kryeministrin Nikolla Gruevski, këtij të fundit i ka shprehur kërcënime serioze se ka dëshmi kundër tij. Kërcënimin e kishte bërë duke i bërë presion Gruevskit për të shpallur siç thuhet zgjedhje të parakohshme dhe për të formuar qeveri teknike. Si kundërshpërblim për këtë ai kishte thënë se nuk do të publikonte informacionet.

Sipas policisë, burimi kryesor i informacioneve për Zaevin ka qenë Verushevski, i cili u arrestua më 22 janar dhe se gjatë bastisjes i janë konfiskuar 2 pistoleta, 4 kompjuterë dhe 6 telefona celularë. Nga analiza e materialeve është konstatuar se mijëra dokumente kanë shërbyer për spiunim dhe për veprat e kryera. Mes materialeve të gjetura thuhet se janë edhe videoxhirime për biseda dhe takime të personave të politikës dhe jetës publike.

Sipas aktakuzës së MPB-së, tërë grupi do të përgjigjet për dhunë ndaj organeve shtetërore, kërcënim të rendit kushtetues dhe institucioneve demokratike, një vepër që siç thuhet për herë të parë zbulohet dhe ndodhë në Maqedoni.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev është i vetmi që nuk është arrestuar deri tani nga MPB. Tre të dyshuarit e tjerë janë në duart e policisë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: