SHKUP – “Qeveria e Maqedonisë ka përgjuar qindra gazetarë në mënyrë të paligjshme. Kështu deklaroi sot lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, duke prezantuar dëshmi të reja mbi çështjen e përgjimeve.
Zaev ka paraqitur regjistrime audio, përmes të cilave dëshmohet se si Drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim Sasho Mijalkov dhe Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska bisedojnë për mediat që janë vënë në kontrollin e pushtetit, apo se si ato duhet të raportojnë në favor të pushtetit aktual. Ndërkohë janë publikuar edhe incizime nga bisedat e gazetarëve të afërt me qeverinë, se si të raportojnë për ngjarje të caktuara.
Në një tjetër regjistrim, paraqitet edhe kryeministri Nikolla Gruevski, i cili autorizon ministrin e Transportit, Mile Janakievski që të paguajë 500 mijë euro një televizion, gjoja për programe dokumentare, por që në fakt janë shpërblim për raportimin në favor të politikave të ekzekutivit.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se gazetarët që nuk i janë nënshtruar pushtetit aktual janë përgjuar pandërprerë prej 2 deri me 4 vjet, ndërsa ndër më të përgjuarit është ish-gazetari dhe pronari i javores “Fokus”, Nikolla Mlladenov, i cili ka humbur jetën në një aksident rrugor.
“Materialet që janë me shenjën e DSK-së (Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim) tregojnë se gazetarët profesionistë dhe ata që kanë kritikuar qeverinë, janë përgjuar në mënyrë të veçantë. Për çdo gazetar ka dosje të veçantë dhe analizë të bërë nga DSK-ja. Kjo është një goditje e fuqishme ndaj punës së mediave, fjalës së lirë dhe demokracisë në përgjithësi. Pas kësaj më askush nuk duhet të ketë dilema se në çfarë regjimi jetojmë gjithë këto vite të qeverisjes së kësaj garniture” – ka deklaruar Zaev.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: