Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në një kohë të mbushur me shqetësime të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, morën vendimin për të themeluar një parti politike – Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ky grup e emëroi kryesinë e LDK-së, me Ibrahim Rugovën si kryetar, Jusuf Buxhovin si sekretar dhe anëtarë të tjerë të kryesisë si Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja dhe figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh.

Kuvendi themelues u mbajt më 23 dhjetor 1989 në ambientet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Pas luftës në Kosovë, LDK, nën drejtimin e Ibrahim Rugovës, fitoi zgjedhjet në mënyrë bindëse.

Kjo parti thotë se angazhohet për ndërtimin e një demokracie të vërtetë, që do të sigurojë barazinë e plotë juridike dhe politike për të gjithë qytetarët. Aktualisht, lider i LDK-së është Lumir Abdixhiku.

Me rastin e 35-vjetorit të themelimit, Abdixhiku dhe struktura të partisë do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova sot, më 23 dhjetor, në orën 10:30, ndërsa nga ora 18:00 do të organizohet një manifestim solemn në nder të kësaj dite.

LDK ka lëshuar një njoftim për aktivitetet e Abdixhikut:

“Me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari, dr. Lumir Abdixhiku, me struktura të partisë, në orën 10:30 do të bëjnë homazhe te varri i Presidentit Historik Ibrahim Rugova, ndërsa nga ora 18:00, në Klan Arena, do të organizohet manifestimi solemn, në nder të kësaj feste”, thuhet në njoftim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb