“Vol Vo 4”, megaoperacioni i Policisë së Shtetit në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar, rezultoi të ishte vetëm maja e ajsbergut në atë c’ka do të denoncohej ditët në vijim në media, ndërsa protoganist vijon të mbetet kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Arrestimi i Avdylajve në Shijak, zbuloi atë c’ka përflitej nën zë prej thuajse një viti, nga opozita por edhe biseda gazetarësh apo studio televizive.

“Vol Vo 4” nxori në pah odisenë e dosjes së shumërfolur 339, fletë të së cilës tashmë nuk janë më sekret hetimor. Referuar dosjes mediat raportuan se Avdylajt kishin lidhje me zyrtarë të lartë, një prej të cilëve me pseudonimin ‘xhuxhi’, ndërsa shumë prej tyre guxuan të thonë edhe se bëhej fjalë për kreun e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ndërkohë, 25 tetorin e vitit që lamë pas, përmes dokumentave ekskluzivë, emisioni ‘Të paekspozuarit’ i gazetarit Ylli Rakipi në News24, publikoi të zezën mbi të bardhë, një përgjim në të cilën kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako komunikonte në telefon me Altin Avdylin, i njohur me pseudonimin Niçja.

Në bisedën e përgjuar ku Altin Avdylaj identifikohet si Niçja ndërsa Dako vetëm me numrin e telefonit, kryetari i Bashkisë së Durrësit falënderon Avdylaj dhe i kërkon të takohet. Biseda e parë është zhvilluar më datë 27 qershor në orën 11:08 dhe zgjat 1 minutë e 3 sekonda.

BISEDA E PARË
Niçja: Hë kryetar, hë vllai.
0692099300: Niçe, ku je?
Niçja: Këtu vërdallë…
0692099300: Ku është Astriti?
Niçja: Ka lëviz një çikë.
0692099300: Ku ka lëviz? Jashtë Durrësit?
Niçja: Eh… ça ka? Ka ndonjë gjë?
0692099300: Po jo mo, doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë.
Niçja: Po, po ku je ti? Të vij të të takoj…
Njësoj është, si ai si unë, e di që jemi një
0692099300: Po mirë mo mirë, por doja ta takoja…kanë pi ato.
Niçja: Po, e di po, kanë lëviz… Me të taku një çikë unë ty!
0692099300: Unë tani jam duke ardh nga… rrugës… rrugës…

Pergjimi 2

BISEDA E DYTË
Biseda e dytë është bërë nga numri i telefonit 069 56 39 642 (i paidentifikuar) drejt numrit 0898967765 (Altin Avdylaj) në orën 20:06 të mbrëmjes me kohëzgjatje 31 sekonda një ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit.
Niçja: Të marr unë se jam me rob pra…
Alo, ça po bën?
Niçja: Të marr unë se jam me rob të thashë!
Ku je? Je andej nga fshatrat, ku ishe?
Jo! Jo! Jo!
Kam ca me mbiemër Kurti, kam zonjën këtu…
… po deshe…
Niçja: …mirë…
6 veta janë!
Niçja: Hajt se të marr unë!
Thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek, që të votojnë !

Pergjimi 3

Dyshimet që lindin nga këto biseda janë se Vangjush Dako e ka përdorur për qëllime elektorale të PS-së, bandën e trafikut të kokainës në Shijak, duke vërtetuar tezën e opozitës se Rilindja i ka toleruar bandat duke kërkuar si këmbim ndihmën e tyre në zgjedhje.

Vetëm një javë më pas, ‘Të paekspozuarit” publikuan materiale të reja mbi dosjen 339. Bëhet fjalë për një përgjim të datës 20 shkurt të vitit 2017, saktësisht biseda është zhvilluar në orën 17:26. Në përgjim sipas TPZ përfshihet kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, teksa komunikon me Altin Avdylin (niçja), dhe i premton se do t’i zgjidhë diçka, prandaj nuk duhet të merakoset.

PËRGJIMI:
0698967765: Hë Gjushi?
0692099300: Hë Niçe
0698967765: Hë vlla
0692099300: Hë se jam duke fol me atë, mos e ki merak, çke ti, o nesër…këto ditë do ta mbaroj unë mos e ki merak?
0698967765: E të lutem
0692099300: Ik pa merak

Pergjim 1

Pak kohë më pas, më 30 janar të këtij viti, Zëri i Amerikës publikoi një tjetër pjesë të “dosjes 339” ku jo vetëm tregohet qartë blerja e votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, por dilte në pah marrëdhënia e ngushtë e Vangjush Dakos me Avdulajt e Shijakut.

Dhjetra përgjime dhe dokumente të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hedhin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votës në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor.
Komunikimet dhe bisedat për takime me Dakon datojnë në janar të vitit 2017 dhe shtrihen deri në shkurt të vitit 2018. Ato kanë si objekt probleme nga më të ndryshmet si dhe koordinimet për dreka mes tij dhe vëllezërve Avdyli.

Përgjimi 1 [datë 11 shkurt 2017]
Altin Avdyli: Ne me atë shokun jemi tuj hangër bukë, me Gjushin. Të hanën e patëm lanë të vish me e taku, megjithatë po e takoj me babën tat, Isakun.
I panjohur: Shife vetë o burrë, nuk ka problem, se vij unë nuk ka problem.
Altin Avdyli: Jemi me Astritin, të hanën e kemi lënë. Jemi te Maxhestiku me Gjushin t’u hangër një drekë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar një tjetër përgjim nga dosja 339, pak orë pasi prokuroria tha se se ka hapur hetime për rrjedhje informacioni dhe nxjerrje sekreti. Përgjimi tregon një telefonatë mes kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe Astrit Avdylit, i akuzuar si koka e grupit kriminal me bazë në Shijak.
Dako: Niçe si je? I bëre gati letrat
Avdylaj: Po kryetar i bëra
Dako: Çoji te vendi se është bërë gati
Avdylaj: Faleminderit kryetar”
“Unë kam dokumenta të tjera, ku Dako flet me Avdylin edhe për biseda që kanë të bëjnë me favore, përshembull në një rast është Dako që e merr në telefon Astrit Avdylin.” u shpreh Lala në ‘Opinion’.

Por ndërsa cështja është në përmasat e një skandali, Kryebashkiaku i Durrësit vijon të shfaqet në studiot televizive, herë si ‘superman’ apo si ‘klloun’ në emisionin e fundit ‘Open’ të Eni Vasilit ndërsa tha se se kur ha dreka me dikë nuk i interesojnë precedentët penalë. . .

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb