Nëse PSG ka një problem, atë e zgjidh Kilian Mbape. Nuk është hera e parë që sulmuesi francez lihet të pushojë në stolin e rezervave dhe zgjidh ndeshjen sapo futet në fushë duke bërë diferencën. Në klasiken e Francës përballë Olimpikut të Marsejës ai i siguroi fitoren 2-0 skuadrës së PSG. Marsejezët dominuan sfidën duke luajtur mjaft mirë përballë PSG që i besonte sulmin Nejmar, Di Maria dhe Çupo-Moting. Por skema nuk funksionoi dhe në pjesën e dytë, në minutën e 62-të Tuchel futi në lojë Mbape, të cilit iu deshën vetëm 3 minuta për të gjetur rrjetën e për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Francezi ishte protagonist edhe në golin e dytë, të realizuar në shtesën e sfidës, kur pas një kombinimi me Nejmar në një kundërsulm të shpejtë gjuajti në portë dhe kthimi i topit nga portieri, u shfrytëzua nga Draksler i cili shënoi dhe vulosi suksesin 2-0. Kjo ishte fitorja e 11 në po aq ndeshje të luajtura në këtë kampionat nga PSG, si askush më parë në historinë e Ligës 1, duke treguar se për titullin kampion gjithçka duket e mbyllur. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb