5 herë radhazi ka Skënderbeu që merr pjesë në Ligën e Kampioneve. Tri herë korçarët janë eliminuar në turin e dytë nga APOEL Nikosia, Debreceni dhe BATE Borisov, ndërsa janë kualifikuar kundër herë Neftçi Bakusë dy vite më parë. Sot ata do të përballen në sfidën e parë për turin e dytë ndaj irlandezëve të Krusaders duke synuar kualifikimin. Për herë të parë në këto pesë vite pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve, Skënderbeu shikohet si favorit nga kompanitë e basteve për të kaluar turin e dytë. Sfida mes Skënderbeut dhe Krusaders do të luhet sot, në orën 20:00, në stadiumin e Korçës. Takimi do të transmetohet direkt nga platforma “Supersport”, në një kohë që pritet një impiant i tej mbushur. Ndeshja e kthimit mes tyre është parashikuar për më 21 korrik.

Provohen skemat, ja taktika që do përdorë Josa

Skënderbeu u ka dhënë fund përgatitjeve, teksa në stërvitjen e fundit Josa ka mbajtur ekipin në gjendje loje për rreth 70 minuta. Skemat e goditjes së dënimit ishin ato më pikantet, ku trajneri është fokusuar shumë. Me sa duket, ndonjë prej tyre pritet të aplikohet gjatë ndeshjes. Ndërkaq, skuadra ka punuar edhe në kushtet kur do të ketë goditje nga këndi. Në fund ekipi ka zhvilluar edhe ndeshjen brenda grupit, në një kohë që për titullarët nuk ka dilema, teksa Lilaj do ta nisë nga stoli.

Interesim i madh, shiten 7 mijë bileta

Interesim i jashtëzakonshëm në Korçë për sa u përket tifozëve që do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit. 7000 bileta tashmë janë shitur plotësisht dhe klubi po bën përpjekje për të nxjerrë në shitje edhe 2000 të tjera për të pasur një stadium të tej mbushur në çdo sektor. Krahas prezencës shumë të madhe, pritet që të organizohet edhe një atmosferë mjaft e ngrohtë për të përcjellë me brohorima çdo minutë të ndeshjes. Tifozët kanë përgatitur edhe banerat që do t’i shpalosin pak para ndeshjes. Ndërkohë, nga klubi i Irlandës së Veriut mësohet se do të ketë të pranishëm afro 50 tifozë, të cilët kanë mbërritur që dje në Korçë dhe do të sistemohen në sektorin anësor të impiantit.

Gjyqtarët

Një treshe austriake do të gjykojë ndeshjen e sotme mes Skënderbeut dhe Krusadersit, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Europës. Kryesor do të jetë 34-vjeçari Aleksandër Harkam, i cili vetëm tre vite më parë ka marrë stemën e FIFA-s. Asistentë të tij do të jenë Andreas Vitshni dhe Rikard Huebler.

Formacioni i mundshëm i Skënderebut:

Shehi, Osmani, Radas, Arapi, Vangjeli, Nimaga, Shkëmbi, Latifi, Berisha, Hristov, Salihi; Trajner: Mirel Josa
(PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb