Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, njëherësh kryetare e Lidhjes së Gruas Demokratike ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, pas fjalimit të këtij të fundit ku paralajmëronte dhunuesit e grave për ashpërsim të ligjit.


Në reagimin e saj, Vokshi e cilësoi Ramën hipokrit sa i takon kësaj çështje, ndërsa shtoi se qeveria e tij nuk ka zbatuar asnjë pikë të rezolutës së Parlamentit për mbrojtjen e grave. Ajo tha se dy vjet pas propozimit dhe miratimit në Kuvend të rezolutës për masat kundër dhunës në familje, nuk është bërë asgjë.


“Lotët e krodilit të Ramës për gratë e dhunuara
Kur flet për ndershmëri, për drejtësi dhe për solidaritet, Edi Rama është hipokriti numër 1. Kur të gjitha bashkë lidhen me gratë, ai është një mashtrues i rëndomtë, i cili në vend që të vendosë shtetin në shërbim të grave të pambrojtura e të dhunuara, frymëzon dhunë.
Edi Rama qan me lotë krokodili për gratë, pasi qeveria e tij nuk ka zbatuar asnjë pikë të rezolutës së Parlamentit për mbrojtjen e grave.
Dy vjet pas propozimit dhe miratimit në Kuvend të rezolutës për masat kundër dhunës në familje, nuk është bërë asgjë. Nuk është miratuar asnjë politikë favorizuese dhe asnjë institucion nuk ka zbatuar asnjë pikë të rezolutës. Në ndryshim nga dy vjet më parë, gjendja është përkeqësuar, dhuna në familje ka bilanc lufte.


Studimi i OSBE zbulon se 67% e grave në Shqipëri ose 959 mijë gra, pësojnë një formë dhune. Thënë ndryshe, janë mbi 2600 raste dhune ne ditë, ku rreth 1800 raste mbeten të padenoncuara, pasi mekanizmi i referimit të dhunës në familje është shkatërruar, sepse institucionet shtetërore nuk mbrojnë gratë, por dhunuesit, kriminelët, trafikantët apo familjarët e deputetëve te Ramës.

Rama, ky dhunues i pashembullt i të drejtave të grave, ky shkaktar për situatën e rëndë të grave e të dhunës në familje, duhet të izolohet për të shpëtuar edhe ato pak liri që u kanë ngelur shqiptarëve, përfshi edhe të drejtën e fjalës apo lirinë e medias, që futet së shpejti në gijotinë”, tha Vokshi.

Kujtojmë se sot Rama paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë një ligj, që do të parashikojë masa të rrepta për dhunuesit dhe autorët e dhunës në familje.
(ed.me/BalkanWeb)