TIRANË

Gazetari Enton Abilekaj i pranishëm në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në News 24 thotë se ligji për shpifjen del në skenë sa herë kryeministri Edi Rama është në hall. Sipas Abilekajt, synimi i kryeministrit është, që të eliminojë rezistencën ndaj regjimit që po instalohet në Shqipëri.



“Une nuk mendoj se kjo është qesharake. Nëse ju kujtohet, ligji për shpifjen filloi në shtatorin e 2015, kur Dritan Zagani akuzoi Saimir Tahirin për cështjen e Habilajve.  Ishte një moment shumë i vështirë, që i duhej patjetër, që t’i mbyllte gojën medias. Erdhi momenti kur u akuzua vëllai i Fatmir Xhafës, u rikthye ligji për shpifjen, bëri një hap para cështja. Erdhi momenti kur ju publikuat këtu tek “Të Paekspozuarit”, cështjen e Unazës së Re, u rikthye ligji për shpifjen. Vijmë tek zgjedhjet lokale, ne publikojmë vetëm video dhe fakte se si ka ndryshuar numri i votave në mënyrë fiktive dhe ligji për shpifjen u miratua në qeveri. Në një moment tjetër të vështirë, ai do të kalojë në parlament. Edhe nëse nuk e kalon sot, do ta kalojë në një moment të vështirë.

Në çdo moment të sikletshëm për kryeministrin, bëhet një hap para për shpifjen. Mendoj se kjo është një strategji, e cila fillon me politikën e marrjes së të gjithë pushteteve. Erdhi si kryeministër dhe parlamentin e bëri monist, mori drejtësinë në dorë, tani ka marrë edhe pushtetin lokal në dorë, i mori të gjithë pushtetet. Tani po i kthehet medias. Me mas median punoi nëpërmjet tenderave dhe favorizimit. Mbaroi punë me to, ka filluar me portalet, me gjobat që mundohet tu vendosë njerëzve. Ka thelluar akoma më shumë presionin ndaj atyre që i rezistojnë presionit.  Qëllimi është që të bëhet zero e gjithë rezistenca, ndaj një regjimi që po instalohet këtu. Nuk është shaka kjo punë, kur të bëhet realitet do jetë shumë vonë”, u shpreh Abilekaj.


(BalkanWeb)