TIRANE

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani iu është bashkuar reagimeve në lidhje me ligjin për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen e mbylljen e portaleve online. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Manjani thekson se të gjithë janë kundër ligjeve anti-portal të Ramës. Mes ironisë ish-ministri i LSI-së pyet me habi nëse edhe të huajt janë kazanë, apo artistë.

“Si ka mundësi që gjithë dynjaja është kundër ligjeve anti- portal të qeverisë sonë?!
Të jenë kazanë edhe të huajt?! Apo janë artistë?!”, shkruan Manjani.

Kujtojmë se pak ditë më parë katër organizata i kanë dërguar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, një letër të hapur ku i kërkuan tërheqjen nga ligji për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen e mbylljen e portaleve online. Kjo iniciativë u prezantua pak kohë më parë nga kreu i qeverisë dhe lidhet me atë që ai e quan “paketa antishpifje”.

Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet. Projektligjet e hartuara nga qeveria parashikojnë krijimin e një regjistri të medias online pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) si dhe vendosjen e përmbajtjes së medias online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash, një komision pranë AMA, i cili do të ketë fuqinë të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon moralin publik apo jo dhe nëse e gjykon të arsyeshme, mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe të urdhërojë mbylljen e këtyre mediave.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb