TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar i prerë sot se ligji i arsimit të lartë nuk do të preket pavarësisht se ka qenë një nga kërkesat e artikuluara gjatë protestës së studentëve dhe disa pedagogë kanë nisur mbledhjen e firmave. Duke folur për vendimet e qeverisë të marra sot për studentët, Rama tha se ka një boshllëk nga ligji tek ligjshmëria duke marrë shembull çështjen e rripit të sigurisë që deri para disa kohëve nuk vendosej nga pjesa më e madhe e shqiptarëve edhe pse ishte e detyrueshme me ligj.

“Nuk ka asnjë arsye që ligji i arsimit të lartë të preket sot. Nga të gjitha bisedat nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt që këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka krijuar ligji i arsimit të lartë. Kemi një boshllëk për të përmbushur që është nga ligji tek ligjshmëria. Përderisa asnjë shqiptar trim nuk e vendoste rripin e sigurisë, ligji nuk funksiononte dhe duhet të vendosnim një ligj tjetër. Nuk është ligji por ligjshmëria. Ndaj ligji për arsimin e lartë nuk preket”, theksoi kreu i qeverisë.

A iu dërgoi dhe një mesazh pedagogëve që po mbledhin firma për anulimin e ligjit të arsimit të lartë të qeverisë “Rama”.

“Një fjalë për pedagogët që mbledhin firma për ligjin e arsimit të lartë. Ka shumë pedagogë në arsimin e lartë që janë heronj por ka dhe të tjerë si puna e asaj shprehje sa gjëra bëhen në emrin tënd o popull. Kështu që para se pedagogët të shkojnë tek ligji është mirë të provojnë përputhjen e vet me ligjin. Ligji nuk na pengon për asgjë, kështu që ligji nuk preket. Kush e kërkon ka të drejtën e vet por ligji është rezultat i vullnetit të një shumice që ka marrë mandatin e popullit dhe asnjë pakicë, e pakicës së pakicës nuk mund të imponojë asgjë”, u shpreh Rama.

Lidhur me 5% të GDP-së për arsimin, Rama tha se edhe kjo është shpjeguar në paktin për Universitetin.
“Në paktin për universitetin edhe 5% do jetë i shpjeguar më së miri me argumente dhe kontributet e shqiptarëve për buxhetin në arsim do të shkojnë duke u rritur.
Uroj që këto vendime të çojnë mesazhin e duhur tek të gjithë ata që dolën në protestë. Të tjerat do t’i themi kur të vijë radha sepse jam i bindur se ata nuk do tërhiqen nga protesta”, përfundoi kryeministri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb