NGA: ORNELA MANJANI*
Dekreti i presidentit për të rikthyer për shqyrtim ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” është rrëzuar në Komisionin e Ligjeve. Ligji do të kalojë edhe një herë për votim në seancë plenare i pandryshuar, duke lënë në fuqi formulën e kompensimit, të kontestuar prej pronarëve dhe Presidentit. Sipas ligjit, fondi i kompensimit të pronave arrin në vlerën 135 miliardë lekë, ku 50 miliardë lekë është vlera e kompensimit në të holla dhe rreth 85 miliardë lekë është vlera e kompensimit fizik.

Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë 26 mijë dosje pronarësh, që pretendojnë t’u kthehet një sipërfaqe totale prej 75 mijë hektarësh tokë. Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave deklaroi dje në komision, se brenda tri viteve do të shqyrtohen 11 mijë dosje.

KOMISIONI
Komisioni parlamentar i Ligjeve rrëzoi dekretin e presidentit Bujar Nishani, që kthente për rishqyrtim në Parlament ligjin e pronave. Relatorja e çështjes, deputetja socialiste Vasilika Hysi, akuzoi kreun e shtetit se është treguar subjektiv dhe i nj anshëm , duke i cilësuar argumentet e tij dashakeqe. Të pranishëm në komision ishin Ledina Mandia dhe Krisilda Fana, nga institucioni i Presidencës, nga Ministria e Drejtësisë ishte zëvendësministri Idlir Peçi, Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, si edhe përfaqësuesi i shoqatave të ish-pronarëve, Myrshit Vorpsi.

ARGUMENTET KUNDËR LIGJIT
Përfaqësuesja e institucionit të Presidencës bëri një analizë të dekretit të Presidentit, duke theksuar se kthimi i ligjit për rishqyrtim, është i mbështetur mbi interesin publik. “Duke marrë në konsideratë zhvillimin e këtij problemi prej vitesh, duke marrë në konsideratë edhe vendimmarrjet e mëparshme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke filluar edhe nga rasti “Ramalli kundër Shqipërisë” dhe rasti-pilot, “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”, Gjykata Europiane i ka kërkuar shtetit shqiptar, që të gjejë një mjet efektiv për zgjidhjen e këtij problemi. Është e vërtetë që edhe me vendimin e Manushaqe Putos, gjykata ka shprehur qartë se nuk është ajo që përcakton mjetin, por ama duhet që shteti të përcaktojë një mjet, i cili të jetë në përputhje me orientimet e kësaj gjykate. Ndërkohë, qeveria ka pasur detyrën ta bënte diçka të tillë, gjë e cila është monitoruar herë pas here, për sa i përket masës së përgjithshme edhe nga ana e Komitetit të Ministrave. Vihet re që, nga vitit 2013, Komiteti i Ministrave priste që të kishte një vendim përfundimtar, të vendimeve administrative dhe gjyqësore dhe një faturë financiare, e cila duhej të paguhej përfundimisht nga shteti shqiptar. Dhe mbi bazën e kësaj, qeveria shqiptare duhej të tregonte modelin se si do të realizohet kompensimi i pronarëve. Në fakt ka ndodhur diçka që nuk është e pëlqyeshme, pasi nuk është realizuar pritshmëria që pritej nga ana e Komitetit të Ministrave, sepse në fakt, nuk ka një vendim përfundimtar real të vendimeve administrative e gjyqësore, dhe nuk ka një faturë financiare, referuar dhe hartës së vlerës, e cila edhe sot është e kontestuar nga ana e Gjykatës Europiane, referuar edhe rastit më të fundit, ‘Sharra kundër Shqipërisë’”, – theksoi Mandia.

ARGUMENTET ‘PRO’ LIGJIT
Drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato theksoi, se aktualisht ekziston një faturë e plotë e kompensimit të ish-pronarëve, dhe me hyrjen në fuqi të ligjit, brenda tri viteve të para do të bëhet mbyllja e procesit për vendimet e gjykatave që janë dhënë që nga viti 1993. Krahas kësaj, znj. Qato theksoi se Komiteti i Ministrave të KiE-s ka përshëndetur këtë ligj.

“Vendimi i fundit i Komitetit të Ministrave të datës 9 dhjetor, i cili ka vënë në dukje edhe një herë, duke inkurajuar shtetin shqiptar dhe qeverinë shqiptare për të vazhduar nismën e saj në raport me miratimin e ligjit më të ri për trajtimin e pronës dhe përfundimit të procesit të kompensimit. Ky është një vlerësim që Komiteti i Ministrave, në muajin dhjetor të vitit 2015 i ka bërë qeverisë shqiptare, pasi kjo qeveri i ka depozituar dhe raportuar në mënyrë sistematike zbatimin hap pas hapi të planit të veprimit të miratuar nga qeveria në muajin prill të vitit 2014, gjë që tregon që të gjithë hapat e planifikuar për t’u realizuar në këtë plan veprimi janë ndërmarrë dhe janë në pajtim të plotë me planin e veprimit”, – theksoi Qato.

Ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi theksoi në fjalën e tij se, pretendimet e ngritura nga ana e institucionit të Presidencës nuk qëndrojnë, pasi ligji i përmbush të gjitha kriteret që kërkohen edhe nga vendimi-pilot i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë, relatorja e projektligjit, Vasilika Hysi bëri një analizë të dekretit të presidentit, duke theksuar se argumentet që janë parashtruar në këtë dekret nuk janë të sakta dhe nuk bazohen në fakte konkrete, duke i propozuar komisionit rrëzimin e tij.

“Pra më datë 30, nuk thotë Komiteti i Ministrave që parlamenti të sjellë një ligj të ri. E mendon që ligji ka hyrë në fuqi dhe ka filluar zbatimi i tij, dhe kjo është shumë e rëndë që qeverisja shqiptare vihet në një pozicion të vështirë thjesht me një relacion që bën dekreti i presidentit. A është dashakeqës? S’mund ta them dot, por e gjitha kjo gjë që bëhet, them që e demonton këtë proces dhe dëmton gjithë përpjekjet që janë bërë në këto dy vite. Prandaj, të nderuar kolegë, bazuar në gjithë faktet dhe argumentet dhe analizën e bërë, që në relacion e keni shumë më të gjerë nga sa unë lexova dhe shtjellova këtu, ju ftoj që ta votojmë kundër dekretin e presidentit, dhe njëkohësisht do të kërkoja nga Ministria e Drejtësisë, nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, t’ia çojnë, nëse nuk e kanë çuar, gjithë informacionin e plotë Komitetit të Ministrave, që Shqipëria në datën 30 të marrë atë vlerë reale që ka, por edhe sugjerimet konkrete që përmirësojnë procesin e kthimit dhe zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronarëve”, – theksoi Hysi.

DEBATI PËR LIGJIN
Vasilika Hysi: Shumë e rëndë që qeveria shqiptare vihet në një pozicion të vështirë thjesht me një relacion që bën dekreti i presidentit. A është dashakeqës? Nuk mund ta them dot, por e gjitha kjo gjë që bëhet, them që e dëmton këtë proces.

Ledina Mandia: Jo vetëm që prek sigurinë juridike të këtyre shtetasve që kanë vite që sorollaten, dhe akoma nuk është realizuar e drejta e tyre e përcaktuar qartë që në vitin 2006, ku thuhet se shteti duhet të gjejë formën dhe mënyrën për të realizuar kompensimin e pronave, gjë e cila akoma dhe sot nuk ndodh.

Sonila Qato: Realizimin dhe kompensimin e pronarëve brenda 3 viteve, ashtu sikundër është marrë përsipër, dhe realizimin e shqyrtimit të rreth 11 mijë dosjeve ende pa shqyrtim nga kjo agjenci në këto tri vite.

Fatmir Mediu: Ne duhet të gjykojmë si parlamentarë, përfaqësues të qytetarëve interesin e pronarëve.

Bashkim Fino: Ishte ministër pranë një qeverie dhe të këmbëngulte që programi i partisë së tij, me atë program të asaj partie tjetër të ecte në sinkron dhe të bënte diçka për pronarët.

Arben Ristani: Ne mendojmë se ky ligj ua merr pronën pronarëve.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: