Nga KLODIANA HAXHIAJ*

Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegon procedurat për të përfituar falas truallin në procesin e legalizimit. Invalidët, tetraplegjikët, apo personat me probleme të tjera të këtij lloji përfitojnë falas jo vetëm të gjitha procedurat për plotësimin e dosjes, por ata nuk paguajnë as parcelën ku kanë ndërtuar, qoftë ajo pronë private apo shtet. Kostoja për pagesën e sipërfaqes mbi të cilën është ndërtuar pa leje, sipas Lamës do të mbulohet nga shteti. Drejtori i ALUIZNI-t shpjegoi përfitimet për shtresat në nevojë dje në Durrës, ku shpërndau disa leje legalizimi tek deklarues me statusin e personave me aftësi të kufizuar, kategoria që trajtohen në mënyrë të veçantë nga ligji për legalizimet, duke përfituar falas edhe truallin ku kanë ndërtuar.

Procesi
Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegoi procedurat për dhënien e truallit falas për këto kategori të veçanta që nuk paguajnë asnjë lek për legalizimin e banesës së tyre në Durrës, ku u ndanë edhe disa leje. “Po përheq vëmendjen te një nga prioritetet e reformës së legalizimeve dhe një nga facilitetet e krijuara në bazë të kësaj reforme, e cila për fat të keq, ende disa qytetarëve u duket aq e bukur saqë nuk e besojnë. Ka një mori shumë të madhe njerëzish që kanë pasur probleme në jetë, që janë invalidë, tetraplegjikë, apo me probleme të tjera të këtij lloji, të cilët përfitojnë nga pagesat falas dhe nuk paguajnë as parcelën, por gjithçka e marrin falas sa i përket legalizimit. Këto kategori përfitojnë nga ligji i ri për të kryer të gjitha procedurat falas, përfshi edhe parcelën ku është ndërtuar, tokë shtetërore ose jo. Qeveria shqiptare ka vendosur t’ua falë këtyre personave tokën, duke marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë”, – tha Lame. Sipas tij, qeveria merr përsipër të gjitha detyrimet që do të ketë pastaj. Ndaj, nëse është tokë me pronar, pa pronar, tokë shtet, pra të gjitha detyrimet i merr përsipër qeveria shqiptare. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i ALUIZNI-t në zyrën e qarkut Durrës, Flamur Gjuzi, i cili u shpreh: “Kemi ndarë disa leje për kategori të caktuara. Pas reformës së thellë që bëri qeveria shqiptare te ligji i legalizimeve, një nga përfituesit e kësaj kategorie janë të verbërit, tetraplegjikët dhe paraplegjikët, të cilët përfitojnë duke i legalizuar ndërtimet e tyre falas”, – tha Gjuzi.

Ligji

Sipas ligjit në fuqi, të gjithë personat që trajtohen si shtresa në nevojë dhe kanë vetëdeklaruar ndërtimet pa leje sipas kushteve dhe afateve që parashikon ligji, do të marrin lejen e legalizimit dhe më pas tapitë pa asnjë kosto.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb