Mbi 23 mijë minatorë, naftëtarë dhe punonjës të metalurgjisë do të përfitojnë një trajtim të veçantë financiar, buxhet i cili parashikohet të kapë vlerën prej 1.46 miliardë lekë në vit. Brenda 15 ditësh do të hyjë në fuqi ligji nr.29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Kategoritë e sipërpërmendura do të kenë mundësi të përfitojnë pension suplementar, përveç masës së përfitimit që marrin nga pensioni i pleqërisë. Ligji i ri parashikon që përveç pensionit të pleqërisë, masa e pensionit suplementar që do të marrin sipas këtij drafti varion nga 0.6 deri në 1 për qind shtesë për çdo vit pune në profesion të siguruar.

Vjetërsia në punë
Për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e përgjithshme në punë dhe periudhat e sigurimit vlerësohen e njihen sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të akteve ligjore në zbatim të tij. “Për efekt të përfitimeve nga ky ligj, vjetërsia në punë dhe periudhat e sigurimit në profesionet e punën në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji do të njihen si më poshtë: a) periudhat e punës të kryera në miniera në nëntokë, sipas dispozitave të krerëve I, XIII e XIV, të pasqyrës nr. 1 të, vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar; b) periudhat e punës të kryera në industrinë e naftës e të gazit, në profesione dhe punë të përcaktuara në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar; c) periudhat e punës të kryera në industrinë e naftës e të gazit nga personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar drejtpërdrejt në prodhim, në sektorë apo brigada, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës; ç) periudhat e punës të kryera në metalurgji, në profesione, punë e ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar”, – nënvizohet në nenin 3 të ligjit.

Llogaritja dhe përfitimi
“Llogaritja, caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave në fuqi për pensionet, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, – thuhet në nenin 12 të këtij ligji. Ndërkohë, kërkesa për përfitim Përfitimi, sipas përcaktimeve në këtij ligji jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së.

Financimi
Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet dhe nga buxheti i shtetit. Personat e punësuar në industrinë minerare, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, dhe punëdhënësit e tyre janë të detyruar të paguajnë kontribut për pension për shkak të profesionit si dhe për përfitimet shtesë mbi pensionin e pleqërisë. Shuma e kontributit varet nga paga totale (bruto) e punëmarrësit. Kontributi nuk mund të paguhet nën pagën minimale dhe mbi pagën maksimale mujore për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore. “Masa e kontributit: a) kontributi, që paguhet për mbulimin e përfitimeve të pensioneve për shkak të profesionit, përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 3 % nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi; b) kontributi që paguhet për mbulimin e përfitimeve shtesë mbi pensionin e pleqërisë përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 2,5% nga punëdhënësi dhe 2,5% nga punëmarrësi. Kontributet, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, paguhen në fondin publik për të punësuarit mbi moshën 48 vjeç. Për të punësuarit nën moshën 48 vjeç, kontributet do të paguhen në skemën e pensioneve profesionale, krijuar sipas nenit 5/2, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, – thuhet në ligj. Në këtë të fundit më tej bëhet me dije se kontributet për të punësuarit mbi moshën 48 vjeç, në masën sipas përcaktimeve në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, mblidhen dhe derdhen në fondin e sigurimeve shoqërore, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuara në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në Fletoren Zyrtare theksohet se diferenca ndërmjet efektit financiar të dy llojeve të përfitimeve, sipas këtij ligji, me kontributet shtesë, do të përballohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Shuma vjetore e transfertës nga buxheti i shtetit dhe procedurat e financimit të fondit të sigurimeve shoqërore miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Përfitimet nga ky ligj nuk tatohen.

Indeksimi
Përfitimet, sipas këtij ligji, indeksohen çdo vit, sa herë indeksohen edhe pensionet e caktuara sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Indeksi dhe koha e zbatimit të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në këtë të fundit bëhet me dije gjithashtu se personat të cilët kanë përfituar, ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension kur kanë periudhë sigurimi në profesion, punonjësit e nëntokës 12.5 vjet, punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit, burrat 20 vjet, gratë 15 vjet, punonjësit e metalurgjisë; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet. Gjithashtu, punonjësit e këtyre industrive kanë të drejtën e trajtimit me pension për shkak të profesionit, deri në 15 vite përpara moshës së pensionit nga skema e detyrueshme.

Pensionet e pleqërisë dhe invaliditetit
† Masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e pleqërisë:
a) Ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në këtë ligj, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë shtesë pensioni për çdo vit periudhe sigurimi në profesion, sipas përcaktimeve në nenin 3, si më poshtë:
i) Punonjësit e nëntokës, 1% të masës së pensionit të pleqërisë.
ii) Punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0.6% të masës së pensionit të pleqërisë.
b) Shtesën mbi pension, sipas shkronjës “a”, e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj.
c) Shtesën mbi pension, sipas shkronjës “a” të kësaj pike e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.
† Masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e invaliditetit:
a) Përfituesit, sipas përcaktimeve në këtë ligj, të cilët kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension invaliditeti, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension në masën 1% për çdo vit vjetërsie pune në miniera, në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji, sipas përcaktimeve në nenin 3 të këtij ligji.
b) Për personat që përfitojnë pension invaliditeti nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, të cilët kanë vjetërsi në profesion më pak se periudha e përcaktuar në neni 5, të këtij ligji, për efekt të shtesës mbi pension, vjetërsia në profesion, llogaritet respektivisht, për ish-minatorët 12.5 vjet, për naftëtarët dhe metalurgët 20 vjet. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb