Deputetja e PD-së Ina Zhupa në një deklaratë për mediat ka dhënë më tepër detaje të pranimit nga GJK të padisë të ngritur nga 37 deputetë demokratë dhe të opozitës për rrëzimin e ligjeve, që prekin Zonat e Mbrojtura.
Zhupa tha se është optimiste që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare, duke kundërshtuar ligjin që lejon ndërtimet në këto zona, të cilat, sipas saj, dëmtojnë interesin publik dhe përputhshmërinë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe Konventën e Bernës. Deputetja demokrate thekson se ky ligj është në funksion të interesave të grupeve të lidhura me pushtetin, duke cënuar shtetin e së drejtës dhe barazinë para ligjit. Zhupa nënvizoi se PD do ta ndjekë këtë çështje në të gjitha nivelet institucionale, brenda ose jashtë vendit.
DEKLARATA E PLOTË
Mirëdita!
Si fillim viti, dua të them që kemi dhe një lajm pozitiv nga Gjykata Kushtetuese. Padia e bërë nga 37 deputetë të PD, dhe të opozitës të cilët përfaqësohen nga unë në Gjykatën Kushtetuese është pranuar nga Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e ligjeve në Zonat e Mbrojtura.
Kjo padi është pranuar dhe si palë në gjykim, përveç deputetëve të cilët kanë çuar padinë, janë pranuar dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave. Të gjitha palët kanë afat datën 12 shkurt për të paraqitur parashtrimet e veta në lidhjet me çështjen.
Unë nuk pres që, Këshilli i Ministrave, apo Kuvendi që e kanë miratuar për procedurë të bjenë hasha vetes dhe të sjellin parashtrime në përputhje me atë që kërkon Kushtetua dhe Konventa e BE, por pres që Gjykata Kushtetuese të ngrihet në lartësinë e duhur gjatë gjykimit të kësaj çështje të Zonave të Mbrojtura.
Ligji i Zonave të Mbrojtura, siç ju e dini dhe ne kemi patur raste ta diskutojmë, ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në pikën e saj dhe në parimet e saj të solidaritetit shoqëror, që supozon se brezat e ardhshëm duhet të jenë më mirë se sa brezat aktualë, dhe duhet të ruhet pasuria e përbashkët për t’ju trashëguar atyre. Zhvillimin e qendrueshëm, i cili nuk mbrohet duke shkatërruar dhe betonizuar Zona të tëra të Mbrojtura që janë në shërbim të publikut dhe duke i kthyer në shërbim të një oligarku të caktuar të lidhur me pushtetin. Ligji nuk mbron interesin publik dhe interesin e qytetarëve, por vetëm interesin e Edi Ramës, miqve të tij, të cilët duan të ndërtojnë atje ku tashmë ishte e ndaluar me ligjin paraprak.
Ju e dini që, në Shqipëri me investimet strategjike janë ndërtuar 5.8 milionë m2 tokë në bregdet, në vija bregdetare, nëpër zona të rëndësishme të Shqipërisë.
Thënë këtë shifër do të thotë se, nuk ka më ku të ndërtohet përveçse të hysh në Zonat e Mbrojtura, dhe këta që janë sjellë si terroristë ambjentalë, do të duan që të hyjnë dhe kanë hyrë me këtë ligj brenda Zona të Mbrojtura.
Kjo shkon në linjë të drejtë edhe me ndryshimin që kanë depozituar në Kuvend për të ndryshuar për të 10-tën herë ligjin për investimet strategjike, duke i bërë një shtyrje atyre dhe duke dhënë mundësi që të ndërtojnë komplekse, hotele me 5 yje në Zonat e Mbrojtura.
Në këtë formë që është ligji mban një formë të rëndë të cënimit të shtetit të se drejtës, barazisë para ligjit dhe parimit të hierarkisë së normave. Nuk është një ligj që i shërben shoqërisë, por është një ligj që i shërben një individi ose një grupi individësh të lidhur me pushtetin.
Është një ligj që nuk zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Një provë që ne na është shtuar, të cilën do ta depozitojmë në Gjykatën Kushtetuese është dhe progres-raporti i BE, i cili doli në fundin e vitit të shkuar që e thotë qartësisht që: ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj pa konsultim publik dhe është një ligj që bie ndesh me standardet e BE-së. Po ashtu, edhe Konventa e Bernës ak bërë të njëjtën deklaratë publike, e cila sërish do të jetë një provë në Gjykatën Kushtetuese për të thësë se ligji bie ndësh standardeve që ka Konventa e Bernës. Nuk gjejmë asnjë model në botë apo europian që të ketë këtë model për Zonat e Mbrojtura, praktikisht t’i lerë Zonat e Mbrojtura të pambrojtura. Dhe një prove tjetër e krimit dhe vërtetësia e asaj që ne themi se do ta shtojmë në prova janë dhe 9 projektvendime, që tashmë janë vendime që kanë kaluar në 27.09.2024, ku në 9 Zona të Mbrojtura në të gjitha është ulur mbrojtja dhe është lejuar ndërtimi, ku është cunguar zona e cila duhet të ishte e paprekshme, sepse nuk kemi më zonim.
Marr angazhimin në emër të PD, dhe si përfaqësuese e PD në atë gjyq dhe në atë seancë që do të jetë më pas do të jetë seancë publike, është që ne nuk heqim dorë dhe do të ndjekim të gjitha hallkat institucionale brenda vendit dhe jashtë që këtë ligj ta ndalojmë dhe ky ligj të mos jetë një ligj me të cilin funksionojnë Zonat e Mbrojtura në Shqipëri.