Presidenti Bajram Begaj ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Inspektimin”.
Dekreti që mban datën 10 Tetor 2024, është futur në procedurat parlamentare për tu shqyrtuar fillimisht në komision dhe më pas në seancë.
Në argumentet e tij për rikthimin e ligjit, Presidenti shprehet se ndryshimi i 68 neneve nuk i është nënshtruar procedurës së rregullt që parashikon Rregullorja e Kuvendit. Presidenti thekson se në këtë mënyrë ai është “një ligj të vetëm shkakton konfuzion, mbjell paqartësi dhe sjell pasiguri”.
“Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre si dhe nuk ka raporte të veçanta vlerësimi nga komisionet përgjegjëse të Kuvendit sipas fushave që mbulojnë 68 ligjet e sipërpërmendura”, thuhet në argumentet e Presidentit.
Nuk dihet nëse Kuvendi do të reflektojë mbi vërejtjet e Presidentit apo do të miratojë sërisht ligjin, i cili më pas automatikisht hyn në fuqi.
Ligji për Inspektimet u miratua rreth 1 muaj më parë, ndërsa ndryshimet u hartuan me përfshirjen e të gjitha dhomave të biznesit që operojnë në Shqipëri përfshi ato te huaja, ekspertizës se OECD.
“Ndryshimet do të ndryshojnë rrënjësisht marrëdhënien e trupave të inspektimit me biznesin dhe sipërmarrjen, duke ulur barrën ndaj tyre, me pak inspektime, jo masë administrative por paralajmërim e lënie detyrash me qellim vetrregullim, vetformalizimi”, shprehej Delina Ibrahimi, ministre për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.