Ligji për menaxhimin e mbetjeve pritet të votohet këtë të enjte në Kuvend, me gjithë kundërshtitë e shoqërisë civile. Ligji i mbetjeve u shfuqizua në shtator të 2013- ës nga qeveria “Rama” sapo erdhi në pushtet, por këtë herë dy deputetë të PS-së, Eduard Shalsi e Ervin Bushati si dhe deputeti i LSI-së, Bujar Derveni e kanë risjellë me ndryshime. Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PS-së ky projektligj është bërë temë diskutimesh e debatesh. Burimet bëjnë me dije se deputeti Eduard Shalsi ka sqaruar se ky projektligj lejon vetëm importin e një liste më të kufizuar mbetjesh, jo të rrezikshme, që kanë të bëjnë me materiale të riciklueshme, si letër, plastikë.

“Sot, grupi ka një draft që pasqyron të gjitha shqetësimet që kanë pasur, jo vetëm anëtarët e grupit parlamentar, por edhe deputetë të tjerë, anëtarë të shoqërisë civile dhe ambientalistë të ndryshëm. Ka dy-tre muaj që po diskutohet për këtë. Mendoj se sot kam paraqitur një draft akoma më të mirë se ai që ishte propozuar 2-3 vite më parë”, – u shpreh Shalsi për mediat, pas mbledhjes së grupit.

“T’i japim oksigjen industrisë së riciklimit. Të mos e lëmë industrinë ricikluese të vdesë. Duhet leje e posaçme për përpunimin e mbetjeve. Jo mbetjeve, pro lëndëve të para drusore… Nuk do importohet asnjë mbetje për djegie në Shqipëri. Shqipëria nuk do të kthehet në ‘kazan mbetjesh’. 70- 80% e mbetjeve do të eksportohen, vetëm 1-2 dogana për importin e mbetjeve”, – tha Shalsi.

Ndërkohë, burimet nga mbledhja bënë me dije se nuk kanë qenë të pakta reagimet e deputetëve. Një nga figurat e PSsë, deputetja Arta Dade mësohet të ketë kërkuar sqarime se cilat janë ndryshimet nga drafti i 2013-ës.

“Ne jemi këtu brenda një grupi dhe nuk po arrijmë të qartësohemi dhe të bindemi për efektet e ligjit. Imagjinoni reagimin që ka ky ligj te njerëzit e thjeshtë! Ju mund ta kuptoni që nga ky ligj ne mund të marrim një kosto elektorale të konsiderueshme”, – mësohet të jetë shprehur Dade. Ajo ka propozuar që më mirë një nismë e tillë të ndërmerrej në mandatin e dytë, dhe jo tashmë në fund të këtij mandati, kur zgjedhjet janë afër.

“Ky është një veprim i nxituar”, mësohet të jetë shprehur Dade. Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj mësohet se ka kërkuar më shumë transparencë për këtë ligj. Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mësohet të jetë shprehur se duhet pasur kujdes me materialet që do të vijnë, në mënyrë që të jenë të riciklueshme dhe të mos jenë material ushtarak. Deputeti Besnik Baraj mësohet të ketë thënë se tashmë doganat janë më të afta se në 2013-ën për të kontrolluar llojin e materialeve që vijnë.

Deputeti Shalsi u sqaroi kolegëve në fund se, me ligjin e ri, numri i materialeve të listës që pranohen janë shumë më pak, dhe janë materiale të riciklueshme e që nuk kanë nevojë të digjen. Kryeministri Edi Rama mësohet të ketë deklaruar se vendimi i 2013-ës ishte i drejtë, por tashmë kushtet kanë ndryshuar.

Ai u ka kërkuar deputetëve Shalsi e Bushati që, ashtu si në grup, ata ta mbrojnë projektligjin edhe në Kuvend ditën e enjte, për të sqaruar edhe opinionin publik. Lista e mbetjeve të lejuara është reduktuar në 5 lloje, nga 26 që ishte në ligjin e vjetër. Variantit të Shalsit, deputetët socialistë i kanë shtuar amendamente, duke ndaluar importin e plehrave për qëllim djegien në territorin tonë. Po importuesi duhet të provojë se i ka përpunuar të gjitha mbetjet e futura në Shqipëri prej tij, sipas llojit dhe kodit që ka marrë autorizimin. Kush importon mbetje të rrezikshme jashtë listës, gjobitet nga 3.5 milionë deri në 5 milionë lekë. Por edhe nëse plehrat e importuara bëjnë pjesë në listë, por biznesmeni nuk ka autorizim, gjoba shkon deri në 2 milionë lekë.

Ndërkohë dje, një grup qytetarësh protestuan në qendër të Tiranës për disa orë e më pas iu drejtuan selisë së PS-së, ku po mbahej mbledhja e kryesisë së saj. Ata kanë kërkuar që qeveria të mos e miratojë këtë ligj, për të mos i shtuar vendit më shumë mbetje. Aktivisti Eljan Tanini u shpreh se pas projektligjit fshihet mafia e plehrave. “Kush na siguron që plehrat e importuara s’kanë mbetje radioaktive?! Ne i kemi lumenjtë të ndotur me plastikë, por kjo bëhet për të vijuar biznesin e mafies”, – u shpreh Tanini.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb