TIRANË

Ish-deputeti, profesori i shkencave të Komunikimit Mark Marku e shikon paketën antishpifje ose ndryshe ligjin për mediat online të qeverisë si një mënyrë për të penguar mediat të zbulojnë skandalet. Në “A show” në News24, Marku tha se është një projektligji i Putinit.

“Kjo qeveri na ka befasuar përherë në mënyrë negative. Ne kemi menduar gjithmonë që ka nxjerrë një gjë për të mbuluar një tjetër. Projektligji është fiks një projektligj i Putinit dhe ne e dimë çfarë ndodh me mediat në Rusi dhe çfarë regjimi ka prodhuar Putini. Është e detyruar për një ligj të tillë që të na pengojë ne për të zbuluar skandalet.

Mbaj mend një intervistë të Rugovës, në një gazetë gjermane që thoshte se nëse gjërat mbahen në presion dikur do shpërthejë. Presioni i madh do sjellë reagim dhe përmbysje. Padyshim që Rama do ikë nga pushteti por gjithsesi ai po i agravon gjithnjë e më shumë gjërat”, tha Marku.

Sa i përket qëllimit të maxhorancës për largimin e Presidentit, Marku tha se Rama po kërkon të zhdukë edhe institucionin e fundit që i bën rezistencë.

“Paralelisht ka bërë 3 lëvizje, do të zhukë dhe institucionin e fundit që i bën rezistencë që është presidenca, pasi ka marrë të gjitha bashkitë. Po bën një ligj që e bën akademinë një institucion të censurës shkencore dhe po synon mediat. Projekti i tij është shumë i qartë. Projektligji për shpifjen jam i sigurt që do ta kalojë qëndrimin që ka mbajtur organizmat ndërkombëtare por ai ka arritur në një pikë kam përshtypjen që ka humbur logjikën”, tha Marku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb