TIRANË

Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, prezantoi në Kuvend risitë që sjell projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”. Ai u shpreh se ky projektligj është pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.

“Ky ligj është produkt i një konsultimi të gjatë mbi dy vjet me grupin e punës të ngritur në komision e ligjeve. Është fryt i kontributit të shumë aktorëve vendas dhe të huaj që kanë asistuar drejtësinë penale në Shqipëri në kuadër të reformës në drejtësi. Për realizimin e këtij ligji, kanë marrë pjesë ekspert të Euralius, PAMECA, OPDAT, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Doganat, Tatimet, Oficerë Policisë Gjyqësore”, tha Manja.

Sipas tij, ky projektligj sjell disa risi. “Pr/ligji për policinë gjyqësore reflekton të gjitha ndryshimet që ka pësuar legjislacioni ynë penal në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe në mënyrë të veçantë, Kodit të Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi më 1 gusht të vitit 2017. Së dyti, shtoi Manja, projektligji garanton vijueshmërinë e hetimit dhe ndjekjes penale nëpërmjet përcaktimit të rregullave dhe procedurave të qarta që kanë të bëjnë me transferimin e oficerëve të policisë gjyqësore të seksionit dhe shërbimeve të policisë gjyqësore duke i dhënë rol thelbësorë prokurorit të çështjes si lider i hetimit penal”, tha ai.

“Ligji, së treti, zgjidh problemin e karrierës për shërbimet e policisë gjyqësore dhe oficerin e policisë gjyqësore, kjo përmes ngritjes së komisionit të policisë gjyqësore me pesë anëtarë dhe që do të kryesohet nga një prokuror i përcaktuar nga prokurori përgjithshëm me kohë të plotë dhe do ketë në përbërje dhe katër oficerë që vijnë , njëri nga seksioni i policisë gjyqësore, dy anëtarë do të vijnë nga shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit, dhe një nga doganat dhe tatimet me rotacion”, tha Manja.

“Në momentin e krijimit radha do të jetë e doganave që kanë dhe numrin më të lartë të policisë gjyqësore”, sqaroi kreu i Komisionit të Ligjeve.

“Së katërti, pr/ligji përcakton një mënyrë të re funksionimit të Policisë Gjyqësore në prokurorin e përgjithshme dhe prokurorit pranë gjykatave të shkallës së parë, duke përcaktuar qartë raportin e prokurorit me oficerin e seksioni të policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera”.

“Duke përforcuar rregullin që dosja hetimore do t’i delegohet detyrimisht për hetim në të gjitha rastet strukturës hetimore që ka referuar çështjen penale në prokurori, përjashto këtu rastin e konfliktit të interesit në hetim. Por, theksoi Manja, edhe në këtë rast do të duhet arsyetimi me shkrim i drejtuesit të prokurorisë përkatëse.

“E fundit, vijoi Manja, ligji i ri i policisë gjyqësore përcakton dhe nivelin e ri të pagave. Duke ju referuar statusit të prokurorit ku ata i ushtrojnë funksionet e tyre në masën 60% të pagës bruto. Tregues ky i qartë se kjo shumicë qeverisëse ka vëmendje maksimale ndaj përmirësimit të cilësisë së shërbimeve hetimore që do të ofrojë Policia Gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.

“Dispozitat e këtij ligji do të zbatohen për aq sa mundet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, por projektligji se prek këtë strukturë pasi mënyra e organizimit dhe funksionimit të saj është e përcaktuar qartë në ligjin e SPAK-ut që është tashmë në fuqi”, vijoi Manja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb