TIRANE– Dy artistët e njohur Luftar Paja dhe Laert Vasili shprehen pro ndërtimit të një godine të re mbi rrënojat e godinës aktuale të teatrit. Në një prononcim për mediat, “Artisti i Popullit” Luftar Paja, shprehet se ndërtimi i një godine të re për Teatrin Kombëtar është mëse i domosdoshëm. Ai thotë se godina e re duhet t’i qëndrojë kohërave me të gjitha kërkesat, sidomos atyre të artistëve që do të punojnë aty.

“Përfundimisht e kam thënë fjalën time në takimet që kemi patur. Mendoj se duhet të një teatër i ri ku t’i qëndrojë kohërave me të gjitha kërkesat, sidomos kërkesave të artistëve që do të punojnë aty. E rëndësishme është që godina e re të ndërtohet me cilësi të lartë në të gjitha nivlet. Nuk është godina ajo që rrit vlerat artistike, ajo ka ndikimin e saj të domosdoshëm, por ajo që është më kryesorja janë vetë artistët me punën dhe talentin e tyre që rri këto vlera”, thekson aktori i madh Luftar Paja.

Por ideja e një teatri të ri përkrahet edhe nga brezi më i ri i artistëve. Aktori Laert Vasili, i cili u vlerësua me çmim pak ditë më parë edhe si “Aktori i Europës për vitin 2018”, shprehet se Teatri i Ri është mëse i nevojshëm.

“Sot kur gjithkush përqafon të renë në teknologji, ushqim, udhëtim, banim, veshje etj. Teatri si pararendës i shoqërisë duhet të ishte bërë dhe sot të festonim përurimin e tij. Shpresoj të mos e humbasim këtë çast historik dhe uroj që Presidenti Meta me qetësinë dhe dashurinë që e karakterizon, t’i japë fund mjerimit dhe të dekretojë ligjin drejt parametrave që koha i kërkon dhe Europa i kushtëzon!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb