Me ligjin e ri të Asistencës Sociale hiqet kufizimi 48 muaj i përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për personat me aftësi ndryshe. Zgjerohet skema e mbrojtjes sociale edhe me personat që nuk përfitonin nga ligji i sigurimeve shoqërore

Tiranë, 23 Korrik – “Përveç pagës si të punësuar, personat me aftësi ndryshe do të përfitojnë edhe paketën e plotë të mbrojtjes sociale që i sigurohet nga shteti, përfshirë edhe pagesën e aftësisë së kufizuar, gjatë gjithë kohës, pavarësisht se janë në punë”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi një të punësuar me karrige me rrota në sektorin e shërbimit të ADISA në Tiranë.

Ligji i ri i asistencës sociale ka hequr limitin për mbështetjen e personave me aftësi ndryshe që punojnë.
“Jemi këtu me një lajm të mirë për Ilirin dhe të gjithë personat me aftësi të kufizuar që punojnë. Hiqet limiti 48 mujor i pagesës së aftësisë së kufizuar për personat e punësuar, duke nxitur punësimin dhe integrimin e kësaj kategorie përmes punësimit, pasi ata do ta përfitojnë paketën e plotë të mbrojtjes sociale, gjatë gjithë kohës”, tha Manastirliu.

Deri tani, personat me aftësi ndryshe e merrnin pagesën e aftësisë së kufizuar edhe 4 vite pas punësimit, ndërsa me ligjin e ri, e marrin përfitimin pa ndërprerje. Manastirliu deklaroi gjithashtu se ligji i ri i Asistencës Sociale zgjeron mbrojtjen për kategoritë në nevojë.

“Të gjithë ata persona që përjashtoheshin nga ligji i sigurimeve shoqërore, persona me aftësi të kufizuar që nuk e përfitonin KMCAP për shkak se nuk kishin një vit të siguruar në 5 vitet e fundit, tashmë bëhen pjesë e skemës së mbrojtjes sociale, duke u përfshirë në ligjin e ri të asistencës sociale”, tha Manastirliu.
Ligji i ri i asistencës sociale parashikon përcaktimin e të drejtës së përfitimit të pagesave të personave me aftësi të kufizuar dhe të së drejtës së përfitimit të një ndihmësi personal duke zgjeruar gamën e përfituesve dhe duke përfshirë në skemë rreth 4000 persona, të cilët më parë nuk mund të përfitonin nga skema e sigurimeve shoqërore për shkak se nuk plotësonin kushtin e të paturit 12 muaj kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore në 5 vitet e fundit.

Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi pak ditë më parë, parashikon edhe thjeshtim të procedurave të pa nevojshme për përfitimin e pagesave të aftësisë së kufizuar, heqjen e vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak dhe dhënien e këtij përfitimi menjëherë, bazuar në komisionin e vlerësimit.
Nga skema e mbrojtjes sociale përfitojnë mbi 165 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe invalidë pune.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb