PSG tregon se përse janë kampionët dhe dominuesit prej vitesh tashmë në kampionatin francez. Skuadra e teknikut Luis Enrique, fitoi pastër 0-3 në duelin e drejtëpërdrejtë ndaj rivalëve të Olympique Marseille.
Supersfida në Velodromë ishte shumë e luftuar, ku fraksioni i parë shënoi edhe ngjarjet kryesore që vendosën fatin e sfidës. Joao Neves që në minutën e 7 zhbllokoi shifrat pas një gabimi të portierit vendas.
Minuta e 20 solli edhe kthesën e madhe, me Marsejën që mbeti me 10 futbollist, pas një faulli të rëndë në mesfin e fushës nga ana e Harit, duke i dhënë kampionëve të PSG-së një bonus të rëndësishëm për vijimin e sfidës. Bonus që të besuarit e Luis Enriques e shfrytëzuan në maksimum, teksa pas 9 minutash ishte Belardi që gabimisht devijoi topin në portën e tij, për golin e 2 për miqtë. Goditjen përfundimtare për ekipin e De Zerbit e dha Barcola 5 minuta nga fundi i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Marsej ishte e pafuqishme për të reaguar, duke bërë të lehtë menaxhimin e rezultatit për PSG, që me këtë fitore ruajnë kryesimin të vetëm tashmë në kampionatin francez me 23 pikë, pas 9 javësh.