NGA BRIKENA METAJ* 

GJIROKASTËR- Një vit pas djegies dhe shkatërrimit të plotë të banesës karakteristike të shkrimtares dhe disidentes Musine Kokalari pas një zjarri të papritur që në pak minuta shkatërroi gjithçka, banesa trekatëshe është lënë në harresë.

Të vetmit që po kujdesen për rrënojat e mbetura të banesës 120-vjeçare të shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe për pjesën e jashtme të saj janë trashëgimtarët e shkrimtares.

Arieta Kokalari, pasardhëse e familjes Kokalari dhe ideatore e muzeut Kokalari, pohon se pavarësisht premtimeve të dhëna një vit më parë nga Bashkia Gjirokastër për ringritjen e muzeut të disidentes Kokalari, sot një vit më pas faktet tregojnë se nuk ka patur asnjë interesim nga institucionet përgjegjëse përveç familjarëve të saj.

10 vite më parë familjarë të Musine Kokalarit u vendosën në banesën trekatëshe deri atëherë të shkatërruar nga mosinteresimi i qiraxhinjve të mëparshëm duke investuar për restaurimin e saj dhe kthimin e banesës në muze. Sipas familjarëve vlera e investuar në banesë i kalon mbi 200 mijë euro, falë edhe mbështetjes së anëtarëve të fisit Kokalari dhe një investimi në vlerën prej 13 milion lekë të BE.

Zjarri i papritur i një viti më parë ka zhdukur sende të rralla të hershme të banesës si dhe ka shkatërruar tavanet origjinale të ndërtuara në fillim të shekullit të kaluar. Ajo çka ka mbetur janë vetëm muret anësorë e qendrorë të banesës dhe premtimet e pambajtura për restaurimin dhe ringritjen e muzeut të disidentes Musine Kokalari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb