Zëvendësdrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku ka konfirmuar përmes një interviste për mediet, se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar të lisë së majmunit.

“Jemi njoftuar për rastin e konfirmuar në Kosovë. Është një rast i importuar që do të thotë se personi nuk është infektuar në Kosovë, por në Afrikën Perëndimore. Kjo nuk do të thotë që të flemë mbi dafina, por do të vazhdojmë punën tonë për parandalimin dhe sensibilizimin në radhë të parë të bluzave të bardha. Sigurisht kemi rritur masat e survejancës së sëmundjeve infektive, janë sensibilizuar, është shpërndarë përcaktimi i rastit. Nuk kemi rast të konfirmuar. Nuk kemi rast të dyshuar në Shqipëri”, u shpreh ai.

Por, zëvendësdrejtori i ISHP-së, thotë se Shqipëria nuk është imune nga kjo sëmundje infektive, por nuk ka vend për panik.

“Nuk jemi imun. Nuk është infeksion që përhapet në rrugë aerogene. Është një infeksion që përhapet me kontakt të ngushtë, me marrëdhënie seksuale dhe kontakt me lëkurën e personit të infektuar. Pra nuk presim nëse do të kemi një rast të konfirmuar në Shqipëri në ditët në vijim. Nuk presim të ketë përhapje të madhe, besoj do arrijmë në gjendje ta lokalizojmë, të sensibilizojmë nëse do të kemi rast të mundshëm”, tha Ulqinaku.

“Padiskutim që diagnoza diferenciale nuk është e lehtë. Është laboratori që na ndihmon. Nëse do të kemi ndonjë rast që mund të rezultojë pozitiv kemi vaksina për bluzat e bardha dhe personat e kontaktit”, shton Ulqinaku.

Krahas temperaturës, skuqjes dhe flluskave në trup, lia e majmunit shkakton edhe fryrje të nyjave limfatike. Në 95% të rasteve mjekët thonë se kalon pa probleme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën shëndetësore globale nga lija e majmunit dhe aktualisht sëmundja është përhapur në 122 vende.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb