Nuk ka fund de bati në Shkodër. Gilman Lika i kundërpërgjigjet sërish Alban Hasanit dhe këtë herë nuk është kursyer aspak. Ai ka treguar edhe prapaskena të largimit të Armando Cungut dhe ardhjes së Ernest Gjokës në krye të pankinës.


Kapiteni i Vllaznisë akuzon hapur drejtorin e akademisë se është edhe hajdut, madje tregon një rast kur ai ia ka pohuar vetë. Gjatë deklaratës së dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, 32-vjeçari flet edhe për përfshirjen e Hasanit në politikë, ndërsa i kujton se ai është në atë post të klubit, pasi dy vite më parë qëndronte edhe në çadrën e ngritur nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.


“Të gjitha akuzat janë më shumë se qesharake. Por, për fat të mirë, njëherësh janë që të gjitha të verifikueshme. Pikësëpari, për Armandon (i referohet Cungut) unë e kisha marrë vesh se ai donte që të ikte. Edhe një ditë para se të largohej kam pirë kafe me të te ‘Grand Europa’. I kam kërkuar disa herë që të mos ikte prej ekipit. Edhe më ka thënë se ‘Gilman mos ma thuaj më, sepse jam mërzitur shumë’. Dhe të nesërmen, iku .


gilman lika alban hasani

Pastaj klubi vendosi që të afronte Nestin (i referohet Gjokës). Nuk është e vërtetë që i kam dalë para te ‘Ura e Bahçallëkut’, por e kam takuar te fusha e stërvitjes edhe e kam respektuar në maksimum gjatë gjithë kohës, ashtu sikundër bëra edhe me Armandon. Do t’ju lutesha që t’i pyesnit vetë Nestin dhe Armandon, nëse janë të vërteta këto që po them unë, apo ato që thotë ai”, kështu e nisi fjalën e tij mesfushori i kuqebluve.

ZGJEDHJET

Gilman Lika thekson se nuk e ka ndërruar kurrë për financa të njëjta Vllazninë, ndërsa komenton edhe gjendjen e tij fizike: “Asnjëherë nuk e kam ndërruar Vllazninë lek për lek. Gjithmonë shuma që kam marrë nga klubet e tjera ka qenë shumë më e madhe, dhe kjo verifikohet shumë lehtësisht dhe fakt më të mirë se kontratat nuk ka.

alban hasani

Për punën e të rinjve që thotë ai, i garantoj të gjithë tifozët se nëse një i ri ka të njëjtin rendiment me Gilmanin, nuk do pranoj që të hyjë në fushë para tij veç për emër”.

POLITIKA

Kapiteni qartëson se nuk ka lidhje me politikën, në ndryshim nga drejtori i akademisë, që sipas tij ka qenë edhe pjesë e çadrës së PD-së dy vite më parë. “Më qesharakja është pjesa e politikës, për të cilën ka folur ky askushi. Ai ka qenë te çadra e Lulit (Lulzim Bashës), se Gilmanin nuk e ka pa kush as te çadra e Lulit dhe as te protesta e Edit (Edi Rama). Nuk jam marrë ndonjëherë me politikë dhe s’besoj se kam për t’u marrë ndonjëherë gjatë jetës sime. Të gjithë e dinë, që ai ka qenë te çadra e Lulit. Pra, nga politika është ai aty ku është”, shtoi 32-vjeçari, duke akuzuar që posti i Alban Hasanit është politik.

AKUZAT

Lika thekson se Hasani ka vjedhur edhe bluza kur ka qenë në ekip, ndërsa evidenton se është një njeri që ka harruar emrin e tij. “Nga ana sportive nuk po flas shumë, sepse njerëzit e sportit e dinë që jemi vite dritë larg. Më vjen shumë keq dhe i kërkoj falje njerëzve të sportit që jam duke u marrë me një njeri kaq të ulët.

lushnja vllaznia sefa lika jorgji

Kur e kishim në skuadër te Vllaznia, kur ka luajtur dy apo tri ndeshje na vidhte bluzat. Pra ka qenë hajdut, ma ka pranuar edhe vetë kur më tha: ‘unë ju kam vjedhur bluzat’. Një njeri që ka harruar emrin e vet… E pyesin njerëzit në rrugë ‘si e ke emrin…?’- i thotë: ‘S’ka rëndësi, jam shok i njërit apo mik i tjetrit’”, u shpreh Lika.

SHITJET E NDESHJEVE

Kapiteni i skuadrës kuqeblu akuzon edhe shitje të ndeshjes së Futsall, në kohën kur ishte trajner i Kombëtares së minifutbollit. “Ky zotëri nuk ka folur veç për Gilmanin, pavarësisht se unë si kapiten e shoh të arsyeshme që edhe t’i kundërpërgjigjem, por edhe për shumë djem të ekipit tonë. Ka folur për drejtorin, ka folur për profesorin, prandaj si kapiten i skuadrës i bëj thirrje drejtuesve që ta largojnë këtë njeri.

Ai kërkon që të prishë ekipin dhe atmosferën që është te Vllaznia. Në futboll vështirë të gjenden faktet, por mos harroni shitjet e ndeshjeve të ‘Futsallës’… Më vjen edhe njëherë keq që jam marrë me një njeri të tillë, pasi po ia rris vlerat. Madje, ai tani ka filluar që të njihet prej njerëzve, që prej momentit kur nisi të flasë për Gilmanin”, përfundoi reagimin e tij për gazetën, kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika.

PanoramaSport