Kampionët dhe kryesuesi i këtij sezoni, Skënderbeu, udhëton në fushën e vështirë të Laçit, ku në vitet e fundit ka marrë rezultate pozitive. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa vjen pas një periudhe të mirë, teksa ndalesa e kampionatit nuk konsiderohet si diçka e mirë për korçarët në këtë aspekt. Mesfushori Sabien Lilaj është i vetëdijshëm për momentin që po kalonte ekipi, por premton më të mirën për sfidën e së shtunës. “Vijmë pas rezultateve pozitive dhe sigurisht që ndalesa e kampionatit nuk bën mirë. Megjithatë, ekipi është në formë dhe të shtunën shkojmë në Laç për të fituar.

Laçi ka treguar që është ekip i nivelit të lartë dhe këtë e shfaqi edhe në fazën e tretë. Megjithatë, jemi të vetmit që kemi fituar aty dhe shpresojmë të vijojmë edhe këtë javë. Të dalësh kampion duhet të fitosh ndeshje të vështira dhe Laçi është një kundërshtar i tillë. Nuk na pengon asnjë për të marrë titullin. Por ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, në këtë mënyrë arrijmë tek suksesi”. Skënderbeu udhëton në fushën kurbinase në kulmin e formës, ndërsa ka arritur të fitojë 5 ndeshje radhazi në kampionat.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: