TIRANË

Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e pranishme në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se protestat e dhunshme të opozitës po cenojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Parlamenti është legjitim i dalë nga zgjedhjet. Deputetët e rinj po inkurajohen nga ndërkombëtarët për të ushtruar këtë ligjshmëri brenda në Parlament. I vetmi shqetësim i ynë, që mund ta klasifikoni ju si ngurrim, ka të bëjë me mënyrën se sa më shumë të bëhen protesta të dhunshme, aq më shumë ndikon në imazhin e vendit”, tha ajo.

Ajo hoqi ‘vija paralele’ mes protestës së opozitës dhe asaj të studentëve, ndërkaq ripohoi se kur gjuha e dialogut zë vendin e dhunës, rezultatet janë të frytshme dhe këtë shtoi ajo, e tregoi ‘Pakti për Universitetin’.

“Protesta e studentëve ishte paqësore dhe treguan se sa mund të arrihet përmes rrugës së dialogut, ndërsa pakti i Universitetit ka shkuar mbi 13 pika.U punësuan studentë edhe pse nuk ishte pjesë e kërkesës. Pakti për universitetin është një sjellje e re përmes dialogut, por kjo sjell cilësia në të gjithë arsimin e lartë”, tha Nikolla.

E pyetur për ministren e re të Arsimit, Nikolla u shpreh e bindur se Besa Shahini do të japë edhe më shumë për arsimin, duke shtuar se kapacitet dhe dedikimi i saj në punë është maksimal.

“Sa shumë jam sharë unë, sa shumë jam goditur  unë dhe sa shumë gënjeshtra janë adresuar tek personi im. Besa Shahini ka jo vetëm kapacitetet e duhura, por edhe motivimin. Ajo ka edhe një skuadër dhe i duhet të vijojë në rrugën e shtruar. Besës ia njoh dedikimin, formimin dhe  më besoni se do të këtë suksese dhe rezultat të larta në krye të ministrisë. Kjo protestë ishte e papritur, por unë e kam parë edhe si nënë. Unë e kam ndjekur qëndrimin e disa pedagogëve, të cilat kanë anatemuar Ligjin e Arsimit të Lartë dhe më pas dolën në rrugë krah studentëve. Ligji është në fillimet e veta dhe hap pas hapi do të japë rezultat dhe progres”, shtoi ajo.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb