TIRANE– Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar lidhur me lirimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ky i fundit u emërua në krye të Policisë më 15 prill të vitit 2015, dhe shkarkimi i tij erdhi me propozim të ministrit të Brendshëm.

Sipas ministrit Xhafaj ky ndryshim vjen si nevojë e përmbushjes së objektivave të qeverisë, dhe ndaj “duhet një lidership i ri në polici”.

“Vlerësoj kontributin dhe përkushtimin e Haki Çakos. Objektivat tona kërkojnë dinamikë të madhe pune. Duhet një lidership i ri në polici, me energji të reja. Puna e Policisë është e orientuar drejt rezultateve konkrete”, shprehet ministri Xhafaj.

Pas largimit të Çakos pritet të lëvizin disa drejtorë të policisë në qarqe.

Njoftimi i Ministrisë së Brendshme për lirimin nga detyra të Haki Çakos
Me propozim të Ministrit të Brendshëm, zotit Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako.

Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.

Ministri Xhafaj, pati një takim gjatë të cilit e falënderoi Drejtues Madhor Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb