TIRANË

Dy prej banorëve që u arrestuan pak ditë më parë nga policia me akuzën për shkatërrim prone dhe akte vandalizmi kanë lënë sot qelitë. Bëhet fjalë për Kujtim Yllin dhe Romeo Llullën. Gjykata e ka shpallur të paligjshëm arrestimin e Yllit, ndërsa ka lënë në arrest shtëpie Llullën.

Pas vendimit deputeti i PD-së Klevis Balliu dha një prononcim për mediat ku e quajti akt të turpshëm të qeverisë që sipas tij kërkon t’iu bëjë presion banorëve nëpërmjet arrestimeve të paligjshme.

“Arrestimet dhe shoqërimet janë politike dhe masat që u ndërmorën, ishin shpallja ose arrestim i paligjshëm për Kujtim Yllin sepse dukshëm arrestimi ishte thjesht politik për të ushtruar presion ndaj banorëve të cilët bëjnë sot 28 ditë që po protestojnë. Është një akt i turpshëm i kësaj qeverie që kërkon t’iu bëjë presion këtyre banorëve me anë të shoqërimeve dhe arrestimeve të paligjshme siç e vendosi dhe gjykata për rastin e zotit Ylli. Patjetër që do lirohet”, deklaroi Balliu.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj të tërhiqen nga këto akte, që i quajti barbare dhe sulm ndaj sistemit demokratik. Balliu tha se PD do vazhdojë të mbështesë protestën e banorëve.
“Dua t’i bëj thirrje qeverisë së Ramës, Erion Veliajt të tërhiqen nga këto akte barbare që janë një sulm jo vetëm ndaj protestës por ndaj vetë sistemit demokratik që është vendosur në Shqipëri që e kanë vendosur këta qytetarë me protesta dhe luftën ndaj regjimit komunist.
PD do t’i mbështesë qytetarët e Unazës së Re si dhe çdo qytetar që lufton për një kauzë të drejtë për një kauzë ligjore si në rastin e kauzës së banorëve të Unazës së Re.
Këto presione nuk funksionojnë me këta banorë. Këta banorë nuk lodhen, nuk do lodhen, protestat do vazhdojnë, mbështetja e PD do të vazhdojë dhe në fund do triumfojë Unaza, do të triumfojë Tirana, do të triumfojë demokracia kundër një regjimi banditest autoritar të klikës Rama-Veliaj”, deklaroi Balliu.

Avokati i të akuzuarve tha se do të merren urdhrat e ekzekutimit nga Prokuroria dhe do të zbatohen.
Për Kujtim Yllin janë rrëzuar të gjitha akuzat për shkatërrim prone, pasi nuk janë gjetur prova që e implikojnë, ndërsa për Romeo Llullën nga arrest me burg është vendosur arrest shtëpie për aktet e vandalizmit.

Ata u ndaluan nga policia tre ditë më parë pas protestës ku bllokuan rrugën me blloqet e betonit, dhe sipas bluve thyen sinjalistikën dhe prishën rrethimin e kantierit të firmës së ndërtimit. 20 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb