Gazetarja italiane Cecilia Sala, e cila u arrestua më 19 dhjetor në Iran për “shkelje të ligjeve” të Republikës Islamike, është liruar dhe po kthehet në vendin e saj, njoftoi sot qeveria italiane.
“Bashkatdhetarja jonë u lirua nga autoritetet iraniane dhe po kthehet në Itali”, sqaron qeveria italiane në një deklaratë. “Aeroplani me të cilin po riatdhesohet gazetarja Cecilia Sala u ngrit pak minuta më parë”, thuhet në njoftim.
Sala, 29 vjeç, e cila punon për gazetën Il Foglio dhe uebsajtin e podcast-it Chora Media dhe ishte me vizë, u arrestua në Teheran më 19 dhjetor. Ajo u mbajt në izolim në burgun famëkeq Evin në kryeqytetin iranian.
Sala u arrestua tre ditë pasi biznesmeni iranian Mohammad Abedini u arrestua në aeroportin e Milanos. Një urdhër arresti amerikan ishte lëshuar kundër tij për furnizimin e pjesëve të dronëve që Uashingtoni tha se ishin përdorur në një sulm të nisur në vitin 2024 që vrau tre ushtarë amerikanë që shërbenin në Jordani.
Njoftimi i sotëm i qeverisë italiane sqaroi se Sala u lirua falë përpjekjeve intensive të bëra përmes diplomacisë dhe shërbimeve inteligjente, pa asnjë referencë për çështjen Abedini.