KOSOVË

Institucionet e Drejtësisë në Kosovë e kanë liruar shtetasin rus, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili u arrestua nga policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të vendit. Prokurori Special i Kosovës, Sylë Hoxha ka konfirmuar për Rel se zyrtari i UNMIK-ut, është liruar pasi ka imunitet diplomatik dhe nuk mund të mbahet apo ndalohet në polici.

Lidhur me arrestimin e shtetasit rus gjatë ditës, ka reaguar edhe ambasada e Rusisë në Serbi e cila kërkoi që Kosova menjëherë të lirojë atë, raportoi agjencia e lajmeve RIA. “Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të shtetasit rus dhe që përgjegjësit për këtë incident flagrant të merren në përgjegjësi”, citohet të kenë thënë zyrtarë të ambasadës ruse.

Po ashtu, edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, kishte kërkuar lirimin e zyrtarit të këtij misioni, si dhe një punonjësi lokal, të cilët ishin ndaluar gjatë operacionit policor. Policia e Kosovës të martën ka filluar një aksion në jug dhe veri të Mitrovicës për, siç është thënë, luftimin e krimit dhe kontrabandës.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: