John Walker Lindh shtetasi amerikan i cili u kap në vitin 2001 ndërsa luftonte krah talibanëve në Afganistan, doli të enjten nga një burg federal i shtetit të Indianës. I njohur si “talebani amerikan” ai kreu 17 vite nga një dënim me 20 vjet heqje lirie, nën akuzat se siguroi ndihmë të paligjshme për talebanët, sunduesit islamikë të vijës së ashpër të Afganistanit.


Por sekretari i Shtetit Mike Pompeo e kritikoi vendimin për lirimin e John Walker Lindh dhe tha se vendimi duhet të rishkohet. Zoti Pompeo e konsideroi vendimin “të pashpjegueshëm dhe të paarsyeshëm”, gjatë një intervistë për rrjetin televiziv Fox News. Ai tha gjithashtu se John Walker Lindh” po kërcënon ende Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ai është ende i përkushtuar ndaj xhihadit, shkruan Voa.


John Walker Lindh nga Kalifornia ishte 20-vjeç kur u kap, moment që përkoi me ditët e para të pushtimit të Afganistanit nga SHBA, çka erdhi si përgjigje ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Uashington dhe Nju Jork. Ai kishte udhëtuar në Jemen në vitin 2000 për të mësuar arabisht pasi kishte përqafuar fenë islame. Më pas ai u nis drejt Afganistanit, ku u bë vullnetar për talebanët.


Ai u mbajt në një burg ku u mor në pyetje nga oficeri i CIA-s Mike Spann, i cili u vra gjatë një kryengritjeje në burg. Autoritetet e sollën John Walker Lindh në Shtetet e Bashkuara dhe ai bëri një marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë.

Një gjykatës federal ka vendosur një sërë kufizimesh të forta ndaj John Walker Lindh-ut si kusht për lirimin e tij, përfshirë monitorimin e qasjes së tij në internet, kryerjen e seancave të këshillimit për shëndetin mendor si dhe ndalimin për të poseduar apo patur qasje tek materialet ekstremiste. Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin pasi Talibanët në pushtet refuzuan të dorëzojnë kreun e al-Kaidës Osama bin Laden, i cili orkestroi sulmet e 11 shtatorit 2001.