Në një konferencë të posaçme për mediat ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj bëri me dije se ka urdhëruar arrestimin e drejtorit të burgut të Lushnjes, Judmir Shurdhi dhe kartelisti Llazar Mino pas lirimit të të tmerrshmit Lulzim Caka nga burgu.

Sipas Gjonajt, arrestimi i tyre vjen pas një hetimi të posaçëm, nga i cili rezultoi se Lulzim Caka, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Pëllumb Eminit, si dhe për tentativën për vrasje të Gani Malushit dhe Ilir Ngresit, është liruar para kohe nga burgu, 4 muaj e 22 ditë para, si pasojë e llogaritjes gabim të kohës së qëndrimit të tij në qeli. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Gjithashtu Gjonaj tha se ka urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje.

Dje në mbremje, me informacion në rrugë operative nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, jam vënë në dijeni me dyshimin e lirimit para kohe nga IEVP Lushnjë, të të dënuarit Lulzim Caka, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e disa veprave penale. Menjëherë sapo kam marrë dijeni, kam urdhëruar verifikimin dhe hetimin e çështjes me grup të përbashkët hetimi nga Drejtoria e përgjithshme e burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje (SHKBB) dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë.

Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka.

Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhërit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.

Si rezultat i shkeljeve të evidentuara, në orët e para të mëngjesit Shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve kreu arrestimin në flagrancë të:

1. Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

2. Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.

Ata akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal dhe “Falsifikim të dokumenteve” parashikuar nga neni 186 /3 i Kodit Penal. Materialet i janë referuar menjëherë Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Elbasan.

Po gjithashtu kam urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për t’a rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Po sot kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Qeveria dhe personalisht si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin pasi gur i themelimit në mbarëvajtjen e organeve ligjzbatuese është zbatimi në mënyrë rigoroze e ligjit dhe administrimit të procesit.

Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditura“, bëri me dije Gjonaj.


KUSH ESHTE LULZIM CAKA

Lulzim Caka, një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000 në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës, i akuzuar për disa vrasje dhe i dënuar me 25-vite burg i është drejtuar për “prishje të vendimeve” Gjykatës Kushtetuese në dt. 19.12.2012,Gjykatës së Apelit në Vlorë në dt.28.04.2015 dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në vitin 2017.

Gjykata e Apelit Vlorë, në 19 Dhjetor të vitit 2012, e dënoi Cakën me 25 vjet heqje lirie për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Ngjarja për të cilën u dënua Caka ka ndodhur në muajin Mars të vitit 1998, ku Caka i ka bërë rezistencë forcave të policisë.

Caka,i sapo liruar nga burgu me një manipulim dokumentesh, i ishte kthyer aktivitetit të tij kriminal. Pas një informacioni për vendndodhjen e tij në fshatin Pobrat në Berat, është angazhuar për kapjen e tij e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi (që kanë humbur jetën nga atentate më pas), rrethuan Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij, por të armatosur me kallashnikov, ata i bën për rreth gjysmë ore qëndresë policisë.

Caka u kap i plagosur, ndërsa bashkëpunëtori i tij,Xhevahir Çela,mbeti i vrarë. Pas kësaj ngjarjeje, Lulzim Caka akuzoi shtetin që dha urdhër për eliminimin e tij, ndërsa nga hetimet rezultoi se Lulzim Caka i njohur ndryshe si “i forti” i Beratit kishte qëlluar edhe ndaj shokut të tij.

Lulzim Caka do të mbahet mend për sfidat e tij ndaj drejtësisë shqiptare. Ai u arrestua dhe më pas u lirua për mungesë provash disa herë. Cakaj i shpëtoi burgosjes së përjetshme falë mbrojtjes së kualifikuar, por edhe për faj të gjykatave që i hapën rrugën drejt lirisë me rishikim vendimi. Lulzim Caka u soll në Shqipëri në vitin 2003,pas një marrëveshjeje ekstradimi me Italinë dhe pas 16-viteve burgim,tashmë konsiderohen të shlyera 25-vitet e dënimit.

Ndaj Lulzim Cakës rëndojnë një sërë ngjarjesh të frikshme, ku ngjarja më e tmerrshme është ajo e nënës së tij, Xhevrie Caka,pasi ajo kishte shkuar për të takuar të birin që ndodhej i arrestuar në Fier. Mamaja e Cakës u rrëmbye në derën e Komisariatit të Policisë në vitin 1999 dhe u gjet e masakruar në pyllin e Semanit dhe Caka u betua për hakmarrje. Ai u arratis nga burgu dhe në mes të fshatit Samaticë vrau dy nga autorët e vrasjes së nënës së tij Valter Bega dhe Mariglen Cami, piramidën e krimit në fillim të viteve ’90 për të Beratit. Në vitin 1995 ai u përfol për vrasjen e arkëtarit të Kutallisë,ndërsa më pas si friksoi këdo që udhëtonte në aksin nacional Berat-Fier,pasi shpesh postblloqet e tij me njerëz të armatosur sulmonin automjetet.

Në 20 Shtator pritet që avokati mbrojtës i Cakës ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe për shfuqizimin e vendimit nr. 00-2015-2122,të Dt.28.04.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë pasi kjo e fundit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë, duke e dënuar me 25-vjet heqje lirie Lulzim Cakën.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb