Deputetja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi ka regjistruar sot kandidatët e kësaj partie në KQZ në ditën e fundit të afatit të regjistrimit të kandidatëve. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ishte kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi që njoftoi depozitimin e listës së 164 kandidatëve në KQZ.
“Me dosjet e 164 kandidatëve LIBRA dhe afro 10.000 firma drejt KQZ. Pas pak jemi aty”, shkruan Blushi.
E para parti që regjistroi kandidatët e saj në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ishte “Sfida” e Gjergj Bojaxhi.
“Listat tona janë lista të hapura qytetare që kërkojnë të çmitizojnë politikën dhe që tregojnë që nuk mund të durojnë më të tillë politikanë. Mendoj që afatet e regjistrimit dhe kanë disa javë të deklaruara, dhe nëse dikush do kishte kontestime, nuk besoj se do ngelnin për sot. Dokumentat tona u regjistruan, dhe jemi krenarë që kandidatët tanë u regjistruan të parët,” tha Bojaxhi pak më herët.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi deklaroi se ka skaduar afati për regjistrimi e kandidatëve për deputetë në KQZ dhe ky institucion do shkelte ligjin nëse i regjistronte gjatë ditës së sotme.
“Në 28 prill në mesnatë ka përfunduar afati i regjistrimit të listave, çdo regjistrim do ishte shkelje ligji. Kodi zgjedhor është shumë i qartë. Listat regjistrohen jo më vonë se 50 ditë nga data e zgjedhjeve. Dita e 50 është data 29 në orën 00:00. Cdo regjistrim që bëhet sot do ishte i paligjshëm,” tha ai.
(e.f/BalkanWeb)
