Nga: NDRIÇIM MEHMETI *
Prej disa kohësh debati politik për hyrjen e opozitës në parlament, gjobat e makinave, ndëshkimet për mospagimin e energjisë elektrike dhe të tjera problematika që po kalon vendi kanë anashkaluar debatin e para një viti, në lidhje me statusin e nëpunësit civil. Dilemat mbi ligjshmërinë e hyrjen ose jo në fuqi të ligjit të ri nëpunësit civil, informacionet për spastrimet e radhëve të administratës publike nga të padëshiruarit, kishin një intensitet të lartë në fundin e vitit 2013 dhe në fillim të 2014-ës. Pas një viti nuk kemi më asnjë debat në lidhje me nëpunësin civil. Madje, është shkuar edhe më tej. Në një këndvështrim të thjeshtë duket se maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord, që të mos e ngasin si problem, përderisa vetë të prekurit nga kjo punë nuk është se po ndihen. Opozita nga ana e saj mendon se vendi ka kaq shumë probleme, sa të thëna njëherësh do të jetë e vështirë të përtypen nga publiku. Ndoshta pritet rast më i mirë për t’iu rikthyer sërish kësaj çështjeje. Ndërkombëtarët dhe Fyle ish-komisioneri buzagaz i Bashkimit Evropian, “trashën” nja dy herë zërin dhe pastaj si pula e lagur, nuk fliste më për administratën publike. Së fundi duket se ndërkombëtarët i janë kthyer rolit të administratës publike, por për ato agjenci që quhen të pavarura. Ministrja Energjike, Harito na bëri me dije se FMN kërkon t’i japim më shumë garanci pavarësisë së këtyre agjencive përmes statusit të nëpunësit civil.
Pas vitit të gjatë të listës së pritjes, qeveria do të mbarojë punë me administratën civile, përmes marifetit të përdorur prej saj për çdo rast kur bëhet fjalë për punonjësit buxhetorë, atë të konkurrimit. Edhe për administratën ka një fije shprese të madhe. Njerëzit që duan të “promovohen”, do t’i nënshtrohen konkurrimit për të hyrë në TND (trupa e nëpunësve civil të nivelit të lartë drejtues). Po a ka mbetur ndonjë vend i lirë për të konkurruar, me synimin se do të jesh pjesë e TND-së? A mund të besohet psh. se sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm, do të largohen pa bërë zë nga posti i tyre i lakmuar, kur vendin e tyre ta marrin ata që e “meritojnë”? Natyrisht, kjo as ka ndodhur as do të ndodhë, për aq sa shikohet deri tani. Njerëzit që janë komanduar, apo kanë qenë shokë e shoqe të ministreve, të ministrave, kanë fituar vendin e TND tani e një vit e ca më parë. Një pjesë prej tyre nuk kanë qenë asnjë ditë punë në administratë civile ose kanë punuar në nivele shumë të ulëta të kësaj administrate. Po aq qesharake janë transferimet paralel për vende vakante në njërën apo tjetrin sektor. Pra, njerëz u hoqën, në vend të tyre u vendosën të tjerë, pa pyetur aspak për ligj dhe së fundi kanë mbetur pako gjëra vend bosh, për ndonjë që e kanë marrë po kanë harrura t’i bëjnë konkursin. Pyetja më e thjeshtë është përse duhej lista e pritjes, për punonjësit e hequr përpara një viti? Çfarë rëndësie kishte kjo listë për ata punonjës që u larguan në emër “të ristrukturimit”? Tani që viti kaloi dhe shteti e pagoi dhe vazhdon ta paguajë faturën e lartë financiare të dy vetave për një vend pune, duket qartazi se lista e pritjes qe preteksti për të mbushur administratën me militantë, ose ata që kishin qesen e ngrohtë. Ashtu sikurse u arrit qëllimi më i parë: Spastrimi i administratës nga të padëshiruarit, që ishin në listën e ç’punësimit të çdo ministri. Sekretarët e Përgjithshëm, shumica e të cilëve e fituan vetë konkursin, pasi ishin komanduar, u frynë si gjeladuc, kur premtonin se “do të sistemonin një nga një njerëzit në listë pritje, sa të hapeshin vendet e reja”. Ata jo vetëm që se mbajtën këtë premtim, por ishin në dijeni të plotë të shkeljes së ligjit, kur emëruan nga jashtë sistemit dhjetëra punonjës në administratën e varur prej tyre. Kështu që këto premtime dhe ulërimat e kryeministrit se “nuk po gjejmë njerëz të aftë për administratën civile”, në fakt kërkojnë të mbulojnë dështimin e plotë me reformën në administratën publike. Por dështimin, dihet që Rama e kthen në fitore. Kryeministri pak ditë më parë nuk e kishte për gjë të ofendonte në masë njerëzit që konkurruan për ato pak vende pune në administratë, si individë me diploma të blera ose të falsifikuara. z. Rama i quajti “me diploma të kristalta, që nuk përmbushin pritshmëritë tona dhe as që janë të denjë për administratën publike”. Po ata që kaluan në listë pritjeje, pas strukturës së miratuar nga ju z. kryeministër, cilat pritshmëri tuajat nuk arritën të realizonin? Sa u respektuan, u thirrën apo u provuan gjatë këtij viti, për t’ju “përshtatur administratës moderne”, që ju pretendoni se po ndërtoni? Kjo përgjigje vështirë se mund të merret nga ju apo vartësit tuaj z. Rama. Por meqenëse ju më jeni drejtuar me një letër për të më falënderuar për korrektesën si qytetar në pagesë e energjisë elektrike, e që rastisi me një vjetorin e daljes time me urdhrin tuaj, nga administrata publike në listë pritje, mendova t’ju përgjigjem publikisht. Rasti i letrës më krijoi mundësinë e reflektimit për tri gjëra: listën e pritjes, njëvjetorin e së cilës sapo e festova, urimin dhe lavdërimet e letrës suaj dhe atë meriton çdo njeri i rregullt dhe shembullor siç më shkruani ju vetë, shpërblimin vjetor për punë e devotshme të kryer ndaj shtetit. Prandaj mendova t’ju drejtohem z. kryeministër me shumë sinqeritet dhe të mundohem që modestisht të informoj publikun sesa pak vlerë ka një letër falënderimi e shkruajtur prej kryeministrit të vendit tim, para faktit që e kemi para syve.
Është sa e vështirë, aq edhe e pamundur që unë të besoj në sinqeritetin tuaj z. Rama. Unë, qytetari i thjeshtë që ju më drejtoheni “plot dashuri, respekt, e sinqeritet”, mund të jem pas një muaji prapa hekurave, sepse me një pagë nuk mund ta paguaj dot energjinë si deri më tani. Unë mbarova kohën e pagesës në listën e pritjes, e tani s’më mbetet gjë tjetër që të pres të hapet ndonjë “call center”, që të shpresoj se dikush do të vejë dorën në zemër për mua. Unë qytetari i mirë, që ju më premtoni “se së bashku do t’i bëjmë këto vite reformash rrënjësore, vitet e Rilindjes së shumë dëshiruar për Shqipërinë”, jam thjesht i përjashtuari i parë nga “parajsa e premtuar” prej jush. Mua dhe kolegët e mi, që po ashtu paguajnë po aq rregullisht të gjitha detyrimet e këtij shteti, ju i hoqët qafe me një faqe strukturë e tri reshta me firmën tuaj, shoqëruar me një shkresë me tri reshta, që shqip kuptohet kështu: ‘Nuk kemi nevojë për ty, ha kokën dhe zgjidhe vetë jetën’. Kështu që prej një viti në vend të “Rilindjes së shumëdëshiruar për Shqipërinë”, po përjetojmë papunësinë intelektuale, për një arsye shumë të thjeshtë, banale dhe bajate: juve dhe kolegëve tuaj të qeverisë nuk ju pëlqen të punoni me ne, në atë që fare hapur mund të quhet çifligu i qeverisë dhe jo administratë publike. Po ashtu, unë nuk ushqej ndonjë iluzion të madh se qeveria dhe ju z.kryeministër do të mendoni se “ky vit i lumtur i Rilindjes”, do të sjellin ndonjë shpërblim financiar për shërbëtorët e shtetit, që është administrata publike. Kështu që kur pashë letrën me logon e Kryeministrisë në kutinë postare të pallatit, mu duk se do të kishte një fije shpresë për mua dhe kolegët e mi, mësuesit, punëtorët, pensionistët, apo edhe fëmijët e pallatit tim. Këta të fundit mbase ende nuk e dinë vlerën e shpërblimit, porse u pëlqen pasi kanë rastin të përfitojnë ndonjë dhuratë në këtë fundviti. Në fakt, edhe mirënjohja apo begenisja nuk është gjë e keqe, por vlerësohet si e tillë, kur është e sinqertë. Unë z. Rama, nuk u besoj as fjalëve, as premtimeve, as mirënjohjes e as firmës tuaj, edhe pse më duket si e fotokopjuar. Kjo, sepse realiteti është krejt ndryshe. Unë dhe 30 kolegë të mi përjetuam dhe vazhdojmë të përjetojmë të kundërtën e asaj që thoni. Në vend të falënderimit për punën e bërë ne morëm përbuzjen, në vend të mirënjohjes, injorimit, në vend të shpresës, dëshpërimin.
Edhe unë si ju uroj që viti 2015 të ketë sa më shumë shëndet e mbarësi për veten dhe çdo familje shqiptare, por ndryshe nga ju, nuk shpresoj se ditë më të mira do të vinë. Dhe kjo se nuk dua të besoj, por nuk kam asnjë provë konkrete të më bëjë së paku realist, pale më optimist. E nëse në të gjitha sa thashë ju duken pesimiste, uroj i dashur kryeministër që të gaboj dhe vitin tjerët do t’ju nis një letër pendese dhe ju të mos më dërgoni një letër falënderimi, nëse nuk e meritoj.


(d.d/GSH/BalkanWeb)



Etiketa: