Deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu, gjatë një interviste në studion e News24, ka diskutuar mbi përbërjen e listës së kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, theksoi rëndësinë e përfaqësimit të kuotës gjinore dhe praninë e të rinjve dhe përfaqësuesve nga diaspora.

Sipas Spahiut, lista e kandidatëve është përgatitur me kujdes për të siguruar një balancë të mirë midis përfaqësuesve të rinj dhe atyre me përvojë. “Ne kemi një listë që është e hapur dhe e mbyllur, e cila siguron përfaqësimin e duhur të gjinive. Kjo është një arritje e rëndësishme për ne dhe tregon angazhimin tonë për të siguruar që të gjithë zërat të dëgjohen”, shpjegoi ajo.

Ajo gjithashtu theksoi se PS ka përfshirë në listën e saj përfaqësues nga diaspora, duke nënkuptuar se ata që jetojnë jashtë Shqipërisë kanë një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave që i prekin shqiptarët kudo. “Përfaqësimi i diasporës në listën tonë të sigurt është një hap i rëndësishëm për të ruajtur lidhjet me ata që jetojnë jashtë dhe për t’i angazhuar ata në procesin politik të vendit”, tha Spahiu.

Spahiu gjithashtu përmendi se në listën e hapur janë deputetë aktualë që kanë dëshmuar angazhimin e tyre për qytetarët dhe që dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre politike. “Ky është një tregues se kemi vlerësuar punën e deputetëve tanë, dhe ne jemi të bindur se ata do të vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë pozitive për zhvillimin e vendit”, theksoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb