Maqedonia si duket posedon një listë të zezë ku janë shënuar emrat e qytetarëve të Kosovës, të cilët e kanë të ndaluar të hyjnë në këtë shtet.


Jo më larg se dje është ndaluar nga autoritetet maqedonase në kufirin e Bllacës, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci. Ai tha se, policia kufitare Maqedonase qenka e detyruar ta njoftojë Shërbimin informativ të Maqedonisë për çdo hyrje në Republikën e Maqedonisë.


Por, nuk është vetëm Geci, ndalime të tilla ka pasur edhe më parë. Është ndaluar Nekibe Kelmendi, Albin Kurti dhe shumë personalitete tjera të cilët gjoja mund të rrezikojnë sigurinë apo integritetin e këtij shteti.


Ndërkaq, shtetasit kosovarë të cilët hyjnë shpesh në Maqedoni, kur edhe shpenzojnë paratë e tyre, thonë se janë keqtrajtuar shumë herë nga autoritetet maqedonase.

Ish-eprori i UÇK-së dhe ish-anëtari i SHIK-ut Naim Miftari thotë se, policia maqedonase në kufi, disa herë e ka zbritur nga autobusi dhe e ka mbajtur nga një orë, ndërsa më pas e kanë liruar. Një shqetësim të tillë e ka shprehur edhe F. M, i cili thekson se polici maqedonas i ka paragjykuar, duke ju thënë se po duke ekip i rrezikshëm.

Vite më parë, udhëheqësi i Vetëvendosje Albin Kurti ishte ndaluar nga policia maqedonase teksa po kalonte në pikën kufitare të Hanit të Elezit. Organizata Vetëvendosja në një komunikatë për shtyp pati kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Albin Kurtit.

(BalkanWeb)

Etiketa: