Analisti Fatos Lubonja ka komentuar përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke kritikuar qasjen e dy liderëve kryesorë, Sali Berisha dhe Edi Rama.

I ftuar në News24, Lubonja tha se Berisha ka përzgjedhur figura që i kanë qëndruar besnikë në situatën e tij politike dhe ligjore, ndërsa Rama ka krijuar një mjedis ku mungojnë tërësisht zërat kritikë.

“Berisha ka zgjedhur ata që i qëndruan besnikë në situatën ku ishte, pra për pasigurinë e vet. Ndërsa Rama zgjedh gjithnjë e më shumë njerëz që e adhurojnë dhe ka përjashtuar gjithë zërat kritikë. Nuk gjen më një njeri që të kundërshtojë aty,” – tha Lubonja.

Sipas tij, ky model përzgjedhjeje tregon një tendencë autoritare tek të dy liderët.

“Që të dy mendojnë se ‘unë mjaftoj’, unë i mjaftoj Shqipërisë dhe partisë, dhe kjo është autoritariste,” – theksoi ai.

Sa i përket opozitës, Lubonja tha se PD duhet të kishte tentuar një bashkim edhe më të gjerë, ndoshta duke krijuar një figurë të re përbashkuese në vend të Berishës.

“Berisha nuk i përbashkon dot të gjithë, por ai bashkoi aq sa mundi dhe ka kundërshtuar goditjen që Rama i dha kësaj partie. Këtu ai ka një meritë,” – shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb