Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot ankimimin e disa partive të vogla si dhe deputetëve të opozitës për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor, të miratuara në fund të korrikut nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Ata kërkojnë shfuqizimin e nënit 67 të ligjit të “Kodit Zgjedhor”. Kërkesa lidhet me çështjen e “listave të kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike”, i cili me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor parashikon që lista e deputetëve do të jetë pjesërisht e hapur. Në padi specifikohet se deputetët duhet të vendosen nga qytetarët, jo partitë, ndërsa kanë kërkuar lista të hapura.
Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi e quajti iniciativën e tyre përmes ankimimit në Kushtetuese si të domosdoshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ai i kërkoi anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojnë a është e moralshme kjo marrëveshje PS e PD e kthyer tashmë në ligj.
“Ky ligj që është sot i ka të gjithë elementët për të qenë kushtetues. Ju mund ta kaloni, por dhe mund ta ndryshoni. Unë them se Gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në thelb të ligjit. Mazhorancat kanë të drejtën e vet të bëjnë ligje. Në këtë rast kemi një marrëveshjes mes dy mazhorancave, PD e PS, por Gjykata Kushtetuese nuk është thjesht për të mbrojtur mazhorancën apo për t’i dhënë të drejtë, por për të mbrojtur minorancën. Kështu garantohen të gjithë palët. Edhe zotërinjtë e dy palëve të mazhorancës që kanë bërë këtë marrëveshje që është kthyer me ligj të ruajnë të drejtat e veta që kanë pretenduar por dhe pjesa tjetër e shqiptarëve që mendojnë për ndryshim të kenë mundësi të marrin të drejtat e veta. Kanë bërë një gardh, kanë rrethuar kundërshtarët e vet që t’ia bëjnë të pamundur të konkurrojnë politikisht”, tha Shehi.
“Si mendoni a mund të mbushë një parti 1/3 e votave që t’i burojë e drejta që të marrë një kandidat nga lista e hapur kjo është e pamundur në të gjithë territorin e Shqipërisë. A duhet patjetër që të mbash një të tretën e listës që të hyjë dikush prapa që të marrë shumë më tepër vota, sesa ato kanë hyrë në listën e mbyllur është shkelje e parimit, se nuk jemi të barabartë. Janë të gjitha shanset, do i bënit një nder të madh sensit të shtetit shqiptar. Në një farë mënyrë jo se do i bënit favor disa parti të vogla, se ato hyjnë në parti të mëdha”, theksoi ai.
Nga ana tjetër Adriatik Lapaj, nga “Shqipëria Bëhet” tha se cenohet e drejta e shtetasit për ta trajtuar votën e tij si të barabartë dhe për të zgjedhur ata që realisht dëshiron.
“Këtu në jemi për të diskutuar a cenohen parimet kushtetuese nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor. A ka mundësi që në vendin tonë bazuar në këtë ligj të ketë rrotacion politik të shëndetshëm. Kushtetuta në përcaktimin e vet parashikon që jo më pa se 2/3 e listës duhet të jetë të hapur. Kushtetuta në përcaktimin e vet mbylljen e listës nuk e përcakton si detyrim por e lë si opsionale. Qytetarët mund të zgjedhin ose jo të aderojnë në një parti politike, ligji themelor i partive politike është statuti i vet.
Pjesëmarrja e shtetasve në zgjedhje, dhe mënyra si votohet dhe rezultati që del nga zgjedhjet nuk është një zgjedhje e shtetasve, por një detyrim që shtetasit i vjen nga kuadri ligjor që miratohet nga parlamenti. Për ketë arsye cenohet e drejta e shtetasit për ta trajtuar votën e tij si të barabartë dhe për të zgjedhur ata që realisht dëshiron”, tha Lapaj.
Konkretisht forcat politike që kanë bërë ankimim janë partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, organizata “Shqipëria Bëhet”, partia “Nisma Thurje”, Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Merita Bakiu, Gëzim Ademaj, partia “Aleanca Demokracia e Re”, partia “Lëvizja Demokratike për Ndryshim”, partia “Kombëtare Konservatore”.