TIRANË- Kandidati për deputet i PD-së në Qarkun e Lezhës, Preç Zogaj ka komentuar sot në studion e emisionit “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News 24 situatën politike dhe sidomos listën e PD-së të kandidatëve për deputetë, nisur nga kritikat dhe akuzat për kryedemokratin Lulzim Basha.

Zogaj thotë se sistemi ka sjellë që listat të jenë të kryetarit dhe se në parim nuk ka listë të pakritikueshme. Ai deklaron se dhe më parë listat i kanë bërë kryetarët dhe kjo ka ndodhur edhe në PS. Zogaj ka folur edhe për lapsusin në renditjen e tij i pesti në Lezhë.

“Rikthehem pas 8 viteve. Rikthehem në garë por edhe në News24. Është përgjegjësi. Këtë 8-vjeçar kam ndenjur jashtë politikës aktive, parlamentit por kam marrë pjesë në politikë. Mua mu njoftua kjo dhe pastaj më thanë se është një lapsus, jo vetë Basha por bashkëpunëtorët e tij më thanë që është një lapsus dhe do jesh i katërti”, tha Zogaj.

Ai ka rrëfyer edhe se si e ka marrë propozimin për të kandiduar për deputet nga kreu i PD-së Lulzim Basha.

“Kam pasur një bisedë nëse do dëshiroja të bëhesha pjesë e listës së PD për zgjedhjet e 25 qershorit. I jam përgjigjur po”, tha Zogaj.

Në lidhje me kritikat për përbërjen e listës, duke iu referuar akuzave të dy deputetëve demokratë Jozefina Topalli dhe Arben Imami, Zogaj tha se gjykimi i listës kur lista është bërë fakt i kryer është propagandë, shkruan ‘BalkanWeb’.

“E konsideroj të ezauruar këtë diskutim. PD është në fushatë. Është debatuar kaq shumë si asnjëherë tjetër. Në parim them se nuk ka listë të pakritikueshme. Sidomos kur kryetari e bën listën. Kjo nuk ka ndodhur vetëm kësaj radhe në PD, ka ndodhur edhe më parë, edhe në PS. Ky është sistemi, kryetarët e bëjnë listën. Pavarësisht se është paralajmëruar që kjo është hera e fundit që aplikohet ky sistem. Në parim nuk ka listë perfekte apo të pakritikueshme. Gjykimi i listës kur lista është bërë fakt i kryer është propagandë. Kam thënë që listat janë bast i kryetarit. Unë mendoj se është një bast i fituar dhe kisha parasysh sondazhin që u publikua dy ditë më vonë”, u shpreh ai.

Sipas Zogaj, “listat janë të korrigjueshme, shumë më i rëndë do ishte mosrinovimi. Këto janë gabime të korrigjueshme në perspektivë. Tani nuk ke ça korrigjon. Një person që nuk është në listë, mund të jetë hequr padrejtësisht por politika vazhdon. PD ka qenë në pushtet, mund të rikthehet. Unë jam vetë një shembull. Jam hequr nga lista dhe jam rikthyer. Mosrinovimi i PD, kjo do ishte shumë më e rëndë. Këto janë gjykime që janë bërë nga kryetari. Nuk kam forcë që të gjykoj këtë. S’mund të them se këtu ka gabim. Vetë e kanë votuar këtë sistem dhe ndaj bëhesh ndonjëherë viktimë. “, tha Zogaj.

Ndër të tjera ai theksoi se vendosi të kanididojë me PD-në pasi mbështeste programin.

“Pse kam pranuar kandidimin në emër të PD? Pasi besoj tek programi. E konsideroj këtë program, ka vizion”, theksoi ai.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: