Braktisja dhe harresa e ka bërë një 78-vjeçare të endet nga një shtëpi në tjetrën. Të trokasë dhe të kërkojë strehim, pasi fëmijët e saj nuk mund ta mbajnë dot më.

Salushe Çiçollari është një e moshuar me origjinë nga Përmeti. Ajo solli në jetë plot 6 fëmijë, por sot ajo kërkon të shkojë në një azil dhe të kalojë vitet që i kanë mbetur. Dhëndri më i vogël i kësaj familje, Fluturim Dine, ka ardhur në studion e emisionit “Me zemër të hapur”, në News24 për të kërkuar strehim për vjehrrën e tij pasi e ka të pamundur ta mbajë.


Ai ka 9 muaj që e mban në shtëpi dhe mundësia ekonomike e detyron ta largojë nënën e bashkëshortes. Kjo e fundit ka bërë që të hyjë në konflikt me burrin pasi e ka shumë të vështirë të debojë nënën, atë që e solli në jetë dhe e rriti me shumë sakrifica.

Vjehrra tashme është kthyer në një mollë sherri në familjen Dine, edhe pse dhëndri kërkon ta sistemojë të moshuarën.

Tre djemtë e Salushe Çiçollarit e kanë braktisur nënën e tyre dhe madje as telefonin nuk i hapin. Fluturim Dine u ka kërkuar tre kunetërve të tij të tregohen më të përgjegjshëm dhe të gjejnë të gjithë së bashku një zgjidhje për 78-vjeçaren.

Por heshtja e tyre ka bërë që sot dhëndri i Salushes të jetë në studion e emisionit “Me zemër të hapur” për t’ju bërë apelin e fundit fëmijëve të të moshuarës dhe t’u kërkojë ndihmë institucioneve që e moshuara të strehohet në një azil.

Molla e sherrit me bashkëshorten tuaj është bërë vjehrra pas gjithë këtyre viteve martesë?
I uroj shqiptaret për këtë vit të ri. Mos paçin rastin që unë po e përjetoj. Unë iu drejtohem kunetërve se ata e kanë një detyrë madhore. Pas atyre vijnë vajzat. Janë djemtë na familje për mendimin tim, pastaj janë vajzat.

Mund të më tregosh pak për jetën e vjehrrës suaj?
Para 8 vitesh e ka humbur bashkëshortin. Unë po bëj 17 vjet i martuar me vajzën e tyre. Kur ishte vjehrri gjallë, e kishte emrin Teki, ishin mirë. Kishte një rrogë që për në fshat ishte e mirë. Kishte punuar infermier dhe kishte qenë edhe emigrant në Gjermani. Ai jetonte me djalin e vogël. Djali i madh u largua nga fshati sepse u punësua në fabrikën e çimentos në Këlcyrë. Pasi u sistemua atje i mori prindërit dhe i ka mbajtur të dy për 5-6 vjet.

Këto 5-6 vjet ata ishin në gjendje të lëviznin dhe vinin ku tek djali ku tek çupa. Në 2008 vdiq vjehrri, Tekiu dhe ime vjehrrë prapë lëvizte tek fëmijët. Mirëpo nga pensioni që merrnin 400 mijë lekë, arriti me 73 mijë lekë. Filloi të largohej nga fëmijët. Nga Petriti. Petriti thoshte që të shkonte tek djali i dytë se kishte më shumë ekonomi.

Pra, sa kohë që kishte bashkëshortin gjallë nuk kishte probleme?
As edhe një problem. Mirëpo nusja e djalit nuk do që ta mbajë vjehrrën brenda se është bërë për vete me dhëndurë. Kurse djali i vogël që jeton në shtëpinë e prindërve nuk ka kushte. Duke u zënë me djalin e madh, duke u zënë me nusen e dytë, në mars erdhi u përplas me ne.

Nuk i them dot nuses mos mbaj mamanë se ajo mbajti 17 vjet të timen. Kur po bën 9 muaj ime vjehrrë tek ne, nuk i them dot. Mirëpo ekonomia s’më lë.

Unë marr një invaliditet grupi i 2-të, 42 mijë lekë të vjetra me gjithë kompensimet. Si mund ta mbaj unë një pleqëri, kur gruan e kam pa punë, fëmijët në shkollë. Kjo më ka sjellë mua këtu, jo se dua të nxjerr vjehrrën nga shtëpia.

Shtëpia më pikon dhe atë e kam të dhuruar nga vëllai. Unë po vuaj vetë familjarisht, s’ka pse të vuajë dhe ajo. Ajo ka dy djemtë po sot jam detyruar dhe më vjen turp që kam dalë në këtë studio.

Si është gjendja e vajzës tjetër?
Vajza e dytë është me raport mjekësor psikolog madje edhe vajza e saj.

Si e keni njohur këtë familje?
Thotë një këngë, zgjodha njeriun dhe unë nga kjo u shtyva. Shkes kisha motrën. Nga gjendja shëndetësore që kisha jam martuar vonë. Unë jetoj në Patos por nusen e mora në fshat. I ndjeri Teki, e kisha për krenari të më thoshin dhëndri i filanit.

Ndërkohë, mbesa e të moshuarës, vajza e Petrit Cicillarit, Silvana shprehet se familja e saj e ka mbajtur gjyshin me gjyshen për 17 vite, por pas vdekjes së gjyshit, ajo ka shkuar tek halla, pasi ata nuk kanë mundësi ekonomikë ta mbajnë.

“I them burrit te hallës bravo për veprimin, pasi unë nuk mund të ndikoj tek babai, por unë e mbështes gjyshen. Pavarësisht se unë jam vetë për ndihmë. Ne e kemi mbajtur gjyshin edhe gjyshen për 17 vjet. Mbas vdekjes së gjyshit, gjyshja ka qëndruar tek ne. Unë e kam mbajtur me sakrifica, por tani nuk kam mundësi. Unë nuk kam mundësi ekonomike.’ – ka thënë Silvana Cicillari.

Ju e keni telefonuar gjyshen për vitin e ri?
Jo, sepse unë kam telefonuar burrin e hallës ai më ka thënë se gjyshja është në azil në Gjirokastër. Ai më ka gënjyer dhe unë jam e revoltuar, prandaj nuk kam uruar asnjë.

Ti ke kërkuar që gjithë fëmijët e gjyshes të kontribuonin me 30 mijë lekë?
Po, por asnjë nuk është përgjigjur. Nuk kam çfarë të bëj, pasi unë jam mbesa nuk jam as vajza e saj. Të gjithë kanë hequr dorë, thonë nuk është detyra jonë.

AFRIMI, DJALI I DYTË I SALUSHES
Po flasim për nënën tuaj, denoncimin e ka bërë dhëndri juaj që po mban nënën tuaj prej 9 muajsh. A jeni i gatshëm të kujdeseni për nënën tuaj?

Nënën time e kam patur këtu dhe e kam mbajtur 3 muaj. Pastaj ka ikur. Plaka ime do më shumë çupën se djemtë. Më ka ikur pa leje dhe ka vajtur tek dhëndri. Këtë punë e ka marrë ai për zot. Unë nuk kam patur faj.

A jeni i gatshëm ta mbani nënën tuaj?
Unë se kam patur në ngarkim. E ka patur i vogli në ngarkim me dokumente. Unë kur kam bërë ndarjen nga plaka nuk ka përfituar asgjë.

Përse nuk e mbajnë vëllezërit e tjerë sipas jush, Petriti dhe Pëllumbi?
Ata pretendojnë se nuk kanë të ardhura. Edhe unë s’kam të ardhura, asgjë prej gjëje.

Zonja ka pension pleqërie, kaq të vështirë e keni ta mbani bashkë?
Unë nuk kam as vend ta mbaj nënën. Nëna do një dhomë, unë 2 dhoma kam të tëra. Kam fëmijë e i kam të martuar.

Ju nuk keni shkëmbyer as urime për Vitin e Ri?
Nuk më ka marrë njeri.

Nëna 78 vjeçe pret të të marrë në telefon, nuk e merr dot ti?
Unë nuk kam uruar asnjë. Nëna të rri në një vend, mos të lëvizë sa andej, sa këtej. Nëna të rri tek njëri.

Nëna më ka thënë se dua më shumë Afrimin…
Nuk e do Afrimin.

Pse mendon se nuk të do?
Ajo e di se pse.

Jeni dakord që nëna juaj të shkojë në azil?
Nëna ime ka shtëpinë e plakut, atje të vejë. Atje ku ka jetuar.

BASHKËFSHATAR I PLAKËS, SOKOLI
Ajo është një zonjë e nderuar dhe është gjynah për ata çuna që nuk e mbajnë.

Si i njihni djemtë?
Kanë qenë djem punëtorë, por nuk e di ta lënë nënën kështu. Jam i gatshëm ta ofroj atë 30 mijë lekëshin për një muaj. Unë jam rritur aty dhe burrin e zonjës e kam patur doktor. E konsideroj shumë, është një familje shumë e mirë.

MARJETA, VAJZA E SALUSHES

Pse e ke të pamundur ta mbash nënën?

Të pamundur e kam, nuk e nxjerr dot nga shtëpia. Është gati e paralizuar. Mezi e mbaj. Ata i kanë kushtet dhe nuk e mbajnë.

Si ka mundësi që nuk e duan nënën?

Kot se nëna nuk u ka bërë asgjë. Ato 2 gjëra që ka pasur ua ka dhënë atyre dhe nuk i ka mbajtur për trup të vet.

Mund të flasësh dot për motrën e madhe?

Motra e madhe është në një fshat të Tepelenës. E ka burrin fanatik dhe nuk e lë të dalë nga dera e shtëpisë. Jo se nuk e do, se ajo përgjërohet për nënën si unë. (qan)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb