TIRANE- Pas akuzuave të artikuluara ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, emri i të cilit doli në përgjimet e dy trafikantëve Sabaudin Çelaj e Moisi Habilaj, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi doli në një konferencë për mediat dhe iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryedemokratit Basha.

Duke iu referuar rastit të ish-ministrit Tahiri, zonja Kryemadhi tha se “Situata është ndër më të rëndat që ka përjetuar Shqipëria. Sot shqiptarët janë më të rrezikuar se kurrë në vendin e tyre”.

Nisur nga kjo, ajo u shpreh e gatshme të bashkohet me kryedemokratin Lulzim Basha në një tryezë me qëllim luftën pa kompromis ndaj krimit e bandave.

FJALA E PLOTE E PLOTE
Krimi është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Situata është nga më të rëndat që ka përjetuar vendi. Çdo qytetar, i ri dhe e re, burrë, grua, ndihen më të rrezikuar se kurrë në vendin e tyre.
Shteti i kriminalizuar i kryeministrit ka kompromentuar shumë rëndë dhe rolin e Policisë dhe Politikës.
Përpara këtij momenti shumë të vështirë të gjithë qytetarët janë bashkë dhe nuk ka më asnjë dallim mes tyre pasi te gjithë janë të rrezikuar.
LSI është pjesë e frontit të qytetarëve të bashkuar kundër bandave dhe krimit dhe do t’i shërbejë deri në fund vullnetit për një Shqipëri pa kriminelë në rrugë dhe në pushtet.
Saimir Tahiri është një nga hallkat që lidh Edi Ramën me krimin por ka edhe shumë hallka të tjera që janë ende aty e që i drejton Edi Rama.
Janë hallkat e krimit e trafikantëve por edhe të oligarkëve që me bekimin e Edi Ramës po pastrojnë paratë e krimit të organizuar.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: