Kombëtarja shqiptare do të luajë në shtator dy ndeshje shumë të rëndësishme në Ligën e Kombeve, fillimisht me Izraelin me 24 në transfertë dhe më 27 shtator me Islandën në “Air Albania”.

Janë dy ndeshje vendimtare ku duhen dy fitore për të realizuar objektivin maksimal, çka do të thoshte vend i parë në grup dhe shanse maksimale për të luajtur në Euro 2024. Gjithsesi, grupi kuqezi vjen me disa mungesa të rëndësishme, sidomos në mbrojtje.

Një ditë më parë, trajneri Edy Reja publikoi listën e futbollistëve, ku ra në sy rikthimi i dy mbrojtësve, Arlind Ajeti dhe Albi Doka. Natyrisht, si pasojë e dy mungesa të mëdha, si Kumbulla e Gjimshiti.

Në konferencën e sotme për shtyp, tekniku italian i kombëtares shpjegon pse grumbulloi këta lojtarë dhe njëkohësisht a janë përcaktuese këto dy sfida edhe për të ardhmen e tij në krye të kuqezinjve, teksa kontrata përfundon në nëntor.

Ndeshjet ndaj Izraelit dhe Islandës – “Nuk janë dy ndeshje të rëndësishme por janë vendimtare. Ne duhet të bëjmë llogaritë me ekipin dhe lojtarët që kam në dispozicion. Ne do të shkojmë me bindjen që në ndeshjen e parë për të marrë rezultat, do të jetë e vështirë për të dyja sfidat, por do të besojmë.”

Dëmtimet – “Me Çekiçin kemi qenë në komunikim dhe do të jetë në grumbullim dhe do të bëjmë ekzaminimet, e njëjta gjë vlen edhe për Keidi Baren. Kemi një javë kohë edhe pse jemi në emergjencë.”

Problemet në mbrojtje – “Jam i detyruar të bëj disa zgjedhje të tjera. Në qendër të mbrojtjes kemi probleme. Hoxhallari është i vlefshëm për krahun e majtë sepse aty kemi nevojën. Nuk dua të marr shumë lojtarë me vete, sepse do i dërgosh në tribunë edhe pse mua nuk me pëlqen. Nuk dua të bëj eksperimente duke parë këto dy ndeshje.”

Vendi i parë – “Ne jemi ende në lojë për të marrë vendin e parë. Kemi shumë lojtarë me shumë eksperiencë dhe besoj se mund t’ia dalim. Jemi në kushte për të luajtur të barabartë si me Izraelin edhe në transfertë.”

Mesfusha – “Do të përpiqemi të marrim maksimumin. Për fat të keq Çekiçi ka një problem fizik, Bajrami ka luajtur, por nuk ka bërë mirë. Ndoshta mund të luajmë me një sulmues ose gjysmë sulmues prapa, që skuadra të ketë ekuilibra. Luajmë ndaj Izraelit, shumë e aftë taktikisht.”

Zgjedhjet – “Duhet të jemi mirë në aspektin fizik dhe mental në këto dy ndeshje. Kemi përballë Izraelin, duhet të kemi personalitet dhe agresivitet. Zgjedhjet e mia do i bëj pasi ti sho lojtarët. Do të zgjedh lojtarët më në formë. Unë e shoh presionin si faktor pozitiv. Izraeli është shumë i fortë kur sulmon. Në aspektin mbrojtës mund të kenë ndonjë defekt dhe mund t’i godasim aty.”

Harmonia në grup – “Mendoj që harmonia është dhe do të jetë në skuadër. Mund të ketë ndonjë lojtar që mund të mërzitet, por ia kam bërë të qartë që këto janë zgjedhjet. Në ndeshjen ndaj Izraelit, kemi humbur nga gabimet individuale duke i dhuruar dy gola. Tani duhet t’i korrigjojmë këto gabime. Ky grup ka funksionuar që kur kam ardhur unë në Kombëtare. Do të bëjmë një video-analizë dhe të përgatitemi si duhet për dy ndeshjet e radhës.”, përfundoi Edi Reja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb