TIRANË

Ka nisur mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ku kryetari i kësaj force dhe lideri i opozitës Lulzim Basha ka bërë një rezyme të axhendës.
Ai tha se së pari do përcaktohet dita e nisjes së aksioni opozitar për largimin e kryeministrit Edi Rama. Basha përsëriti disa herë fjalën sfida për 2019-ën dhe theksoi se ky është viti i betejës.

“E para është diskutimit dhe miratimi për nisjen e aksionit opozitar për largimin e Edi Ramës.
Këtë vit do të ballafaqohemi me sfida të mëdha që nga rrënimi i Shqipërise tek degradimi i Edi Ramës. Ky është viti i betejës.
Ky është një vit ku duhet të ndeshemi me domosdoshmërinë e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Dekriminalizmii i zgjedhjeve është objektivi parësor për të ardhmen e vendit. Ndërkohë që zgjedhjet lokale afrojnë, qeverisja kontrollohet totalisht nga krimi ndaj Edi Rama refuzoi propozimin për vettingun në politikë. Këtë vit Shqipëria rrezikon seriozisht mosmarrjen e statusit në verë”, deklaroi Basha.

Kreu i PD tha se sfidat që kemi përpara janë të shumta, të mëdha dhe historike. “Por gjithçka nis dhe do të ketë sukses vetëm me transformimin e politikës, modernizimin dhe europianizimin e saj. Ndryshimi i politikës është sot mision kombëtar: nuk mund të ketë më as vonesa dhe as shtirje, makijazhe dhe fasada.
Fasadat janë vetëvrasëse, makijazhet janë fatale. Në Shqipërinë e sotme ka vetëm dy mundësi: nëse je kriminel apo klient i Edi Ramës gëzon pushtet dhe para, për çdo kënd tjetër jetesa është e vështirë dhe e dëshpëruar.
Sepse Shqipëria është sot një vend me një shoqëri që nuk prodhon, nuk krijon, nuk zhvillohet, nuk përparon. Jemi një komb ku nuk ka mundësi për të ardhme.
Pasuritë e shqiptarëve po grabiten ndërsa energjitë e shqiptarëve po shterojnë duke u ndeshur me krimin, korrupsionin, injorancën, kaosin”, u shpreh ai.

Basha deklaroi se njerëzit janë mbërthyer para ekranit duke parë shpalosjen e skandalit të radhës të Ramës, krimit të tij të radhës, vjedhjes së tij të radhës.
“Tani ai po shkatërron të ardhmen. Mungesa e shpresës për të ardhmen është shkaku kryesor që shqiptarët po largohen nga vendi. Fëmijët janë shkaku që Shqipëria po shkretohet. Mungesa e shkollimit cilësor, mungesa e shëndetësisë së sigurt dhe mbi të gjitha mungesa e mundësive për të punuar, për një jetë të përmbushur po i shtyn prindërit të nxisin fëmijët të largohen nga vendi. Shqiptarët kanë nevojë të zgjohen, kanë nevojë të gjejnë kurajë, kanë nevojë të besojnë”, tha kreu i PD.

Basha theksoi se roli i demokratëve, i Partisë Demokratike në këtë gjendje është kritik. “Nuk është aspak e ekzagjeruar të them se sot para nesh shtrohet një detyrë historike. Si rrallë ndonjëherë në këto tre dekada, një partie politike nuk i kërkohet thjesht të jetë një zgjidhje, një alternativë elektorale, nuk i kërkohet thjesht që të ndalë një të keqe. Nga ne sot kërkohet një ndryshim transformues, edhe më i vështirë se ai në fillim të viteve 1990-të. Atëhere kishte energji, kishte shpresë, politika shihej si një e mirë që do e çonte vendin përpara. Sot Shqiptarët e shohin politikën si të keqen më të madhe dhe shkaktaren kryesore të problemeve tyre. Sot shqiptarët kanë humbur besimin tek vetja dhe tek e ardhmja”, u shpreh ai.

Kreu i PD deklaroi se ne duhet jo vetëm të luftojmë luftën për ndryshim, por mbi të gjitha betejën për besim, sepse pa besim nuk mund të arrijmë asgjë.
“Sot ne duhet të kthejmë së pari besimin se Shqipëria mund të bëhet vend normal. E vetmja mënyrë drejt kësaj Shqipërie është varrosja e politikës së korruptuar deri në palcë dhe të inkriminuar në çdo qelizë, është shkëputja e politikës si vegël e një grushti politikanësh dhe biznesmenësh grabitqarë të cilët bëhen bashkë për të shkelur ligjin, për të vjedhur shqiptarët dhe pronat e tyre”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb