Opozita zhvilloi këtë të martë (26 nëntor) një protestë mosbindje civile në Tiranë, duke bllokuar 5 pikat nevralgjike të kryeqytetit. Mbështetësit e PD u grumbulluan në orën 17.00 te sheshi Wilson, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, Pallati me Shigjeta, Bashkia e Tiranës dhe Zogu i Zi. Për tre orë me radhë protestuesit mbajtën të paralizuar qarkullimin e automjeteve. Nuk munguan përplasjet me forcat e rendit. Policia u kundërpërgjigj me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Te Bashkia e Tiranës autoboti i policisë shpërndau disa herë protestuesit, ndërsa një qytetare mbeti e lënduar. Te sheshi Wilson gjithashtu policia përdori makinën e ujit, por edhe gazin lotsjellës. Situata ishte më e qetë te tre pikat e tjera të bllokuara ku nuk u shënuan incidente.
ZHVILLIMET MINUTË PAS MINUTE NGA MOSBINDJA CIVILE NË TIRANË
Ora 20.00 Opozita mbyll mosbindjen civile
Ora 19.50 “Opozita është në detyrën e saj të mosbindjes civile”, Noka: Protestat, kemi vetëm një kërkesë…
Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, në një intervistë për gazetarin Ergys Gjençaj në News24, tha se opozita është në detyrën e saj të mosbindjes civile. “Ne kemi vetëm një kërkesë: Shqipëria ka nevojë për zgjidhje politike. Ne situatën kur korrupsioni po rrënon Shqipërinë, në kushtet kur vendi po shpopullohet, kur krimi ka marrë frenat në dorë, qeveria teknike është e domosdoshme. Askush nuk mund të shpresojë për votë të lirë përsa kohë Edi Rama është në pushtet”, tha Noka.
Ora 19.30 Mosbindja civile, Bardhi: Policia përdori forcën përtej asaj që ia jep ligji, do të veprohet rast pas rasti…
Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, në një intervistë për gazetarin Osman Stafa në News24, në përfundim të protestës së opozitës, tha se ishte një protestë tërësisht paqësore dhe e ligjshme. “Pa asnjë shkak, në mënyrë anti-ligjore, Policia vendosi të dhunojë qytetarët, duke përdorur të gjitha mjetet që përdoren në protestat e dhunshme, ndërsa protesta ishte paqësore.
Ora 19.25 Opozita mban të bllokuar kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit
Ora 19.20 Mbyllet mosbindja civile te sheshi Wilson dhe Zogu i Zi, vijon te Bashkia e Tiranës, Rruga e Elbasanit dhe Pallati me Shigjeta
Ora 19.15 “Një 80-vjeçare ra përtokë nga gazi lotsjellës”, Çupi: Policia presion mbi protestuesit, po ushtron dhunë
Deputetja e PD Dhurata Çupi, në një prononcim për News 24 tha se opozita është në të drejtën e saj për të protestuar. Çupi deklaroi se policia ka bërë presion dhe ka përdorur gaz lotsjellës. Ajo tha se është e rëndë ajo që ka ndodhur, teksa një 80-vjeçare ra përtokë nga presioni me ujë.
Ora 19.05 Hapet për qarkullimin e automjeteve edhe rrethrrotullimi i Zogut të Zi
Pas sheshit Wilson, është hapur për qarkullimin e automjeteve edhe rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Protestuesit e opozitës po largohen nga vendi i protestës. Ata bllokuan rrugën prej orës 17.00. Gazetari Renaldo Salianji raportoi nga rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Protesta e opozitës aktualisht po zhvillohet te Bashkia e Tiranës, Pallati me Shigjeta dhe kryeqëzimi i Rrugës së Elbasanit. Opozita po proteston prej orës 17.00 me mosbindje civile duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në Tiranë. Protesta pritet të përfundojë në orën 20.00.
Ora 19.00 “Policia ka dhunuar tubuesit paqësorë”, Noka: Kush prek protestuesit ka punë me PD-në!
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi nga një nga pikat e protestës së opozitës në kryeqytet se policia “ka mision të luftojë opozitën”. Noka u shpreh se policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve paqësorë. Ai vijoi duke thënë para mediave se policia nuk ka të drejtë të japë apo refuzojë lejen për protestë, por vetëm të garantojë rendin publik pasi të njoftohet. Sakaq, ai theksoi se kushdo që “prek protestuesit do të ketë punë me PD-në”. “Policia ka mision të luftojë opozitën. A mund të quhet polici që i shërben ligjit. Ato fytyra aty mbrapa nuk përfaqësojnë as ligjin e as shtetin. Ata janë mercenarë të krimit të organizuar dhe s’kanë lidhje me ligjin. Janë të gjithë polici politike dhe e inkriminuar kundër opozitës. Fakti që ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve paqësore tregon misionin e tyre politik. Policia s’ka të drejtë të japë apo jo leje, ata thjesht marrin njoftim dhe garantojnë rendin publik. Kur protestonim në bulevard, a ishin të bllokuara rrugët, nuk thanë gjë”, u shpreh ai.
Ora 18.55 “Policia është njoftuar për protestën”, Balliu: Efektivët të merren me Bajrat e Avdulajt, protesta do vazhdojë derisa…
Koordinatori rajonal për Tiranën në PD, Klevis Balliu, që udhëhoqi protestën në kryeqytet sot te Pallati me Shigjeta, tha se Partia Demokratike ka njoftuar policinë për protestën e sotme. Balliu tha se efektivët nuk duhet të dhunojnë protestuesit, por nëse kanë guxim të merren me Bajrat dhe Avdulajt. Sipas tij, protesta do vazhdojë, derisa qytetarët kërkojnë që ajo të vijojë.
Ora 18.50 Protestuesit largohen nga sheshi Wilson, mbyllet mosbindja civile
Protesta me bllokimin e qarkullimit te sheshi Wilson duket se ka përfunduar. Ndërhyrja e policisë duke përdorur autobotin e ujit me presion dhe gazin lotsjellës ka bërë që tempi i protestës së bjerë. Protestuesit po i drejtohen Bashkisë së Tiranës në këto momente, ndërsa te sheshi Wilson qarkullimi i automjeteve po vijon normalisht.
Ora 18.41 VIDEO/ Autoboti i policisë hedh ujë me presion, ja si largohen nga rruga protestuesit te sheshi Wilson
Ujë me presion duket se është gjetur si mjeti për të shpërndarë protestuesit e opozitës nga rrugët që kanë bllokuar në të paktën 5 pika kyçe të Tiranës në kuadër të mosbindjes civile. Herë pas here ndaj protestuesve hidhet ujë me presion, sa herë që protestuesit tentojnë të bllokojnë akset rrugore. Më së shumti kjo metodë është përdorur te sheshi Wilson. Ndoshta për shkak edhe të temperaturave të ulta, Policia ka menduar se duke hedhur ujë me presion dhe duke lagur protestuesit, këta të fundit do të largohen.
Ora 18.40 FOTO/ Çfarë po ndodh? Një protestues merret me barelë…
Vazhdon protesta e Partisë Demokratike, e cila po mbahet njëkohësisht në 5 pika kryesore të Tiranës. Pas tensioneve të shumta fillimisht, policia ka arritur që të largojë disa qytetarë.
Ora 18.37 “Ministri i Brendshëm sadist”, Këlliçi: Sot u ushtrua dhunë shtazarake mbi protestuesit, nuk lëvizim asesi nga këtu
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Tiranës Belind Këlliçi në një prononcim për News 24 foli për protestën e Partisë Demokratike. Këlliçi tha se ministri i Brendshëm Ervin Hoxha është sjellë sot si një sadist, duke e quajtur edhe “nip të Enver Hoxhës”. Ai tha se mbi protestuesit është ushtruar dhunë shtazarake, duke shtuar se opozitarët nuk lëvizin nga vendi, me çdo kusht.
Ora 18.35 “Jemi në betejë pa kthim”, Blushi: Protestuesit s’kanë shkelur asnjë lule, dhunë kriminale nga policia
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh për mikrofonin e News24 nga tubimi i opozitës në sheshin Wilson se kjo protestë është një betejë pa kthim. Ai theksoi se vetëm mosbindja civile dhe protestat janë mjeti për largimin e “regjimit”.
Ora 18.30 Ndërhyn policia, hapet për qarkullimin e automjeteve sheshi Wilson
Te sheshi Wilson policia ka ndërhyrë për hapjen e rrugës. Policia ka larguar protestuesit dhe qarkullimi ka rinisur. Më herët policia përdori edhe autobotin e ujit drejt mbështetësve të opozitës si dhe hodhi edhe gaz lotsjellës.
Ora 18.25 Policia hedh gaz lotsjellës, lëndohet Gazment Bardhi
Në momentin kur policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën në sheshin “Willson” Bardhi ka lënduar këmbën. Në pamje, duket kryetari i grupit parlamentar të PD duke çuar ndërsa një qytetar e mban nga krahët. Opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike proteston sot, përmes mosbindjes civile duke bllokuar disa akse kryesore në Tiranë.
Ora 18.20 Uji me presion, dëmtohet protestuesja. Çupi i jep ndihmë, në pritje të ambulancës prej 1 ore
Një grua, pjesëmarrëse në protestën e opozitës, ka mbetur e dëmtuar te Bashkia e Tiranës, një nga pikat ku prej orës 17:00 protestohet në kuadër të asaj që konsiderohet si “mosbindje civile”. Gruaja ka mbetur e dëmtuar si pasojë e ujit me presion, ndërsa asaj i ka ardhur në ndihmë deputetja e PD-së, Dhurata Çupi. Ligjvënësja demokrate dhe të tjerë pjesëmarrës në protestë kanë njoftuar ambulancën, por prej më shumë se 50 minutash asnjë mjet i ndihmës së shpejtë nuk ka shkuar te Bashkia e Tiranës. Gruaja qëndron e ulur në rrugë, nuk mund të ngrihet, ndërsa nuk dihet gjendja e saj shëndetësore.
Ora 18.15 Policia hedh gaz lotsjellës te sheshi Wilson
Policia vijon të kërkojë lirimin e rrugëve të Tiranës që janë bllokuar nga protestuesit e opozitës. Te sheshi Wilson policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Ora 18.05 Tedi Blushi dhe Luan Baçi hipin mbi autobotin e ujit
Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi dhe deputeti i PD, Luan Baçi kanë hipur mbi autobotin e ujit të policisë.
Ora 17.50 Flamur Noka flet me altoparlant: Protesta nuk ndalet, nipi i Spiro Kolekës me nipin e Enverit duan të ndërhyjnë me dhunë
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka folur me altorparlant te kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit duke deklaruar se ndaj protestuesve do të ushtrohet dhunë. Sipas tij, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha kanë dhënë urdhër që policia të ndërhyjë dhe të shpërndajë mbështetësit e opozitës.
“Banditët e pushtetit janë të tmerruar nga mosbindja civile e opozitës. Rruga e vetme që nipi i Spiro Kolekës bashkë me nipin e Enver Hoxhës kanë gjetur është që të bëjnë presion dhe të intervenojnë me dhunë. Ta harrojnë. Nuk ndalet fryma e revoltës dhe mosbindjes civile e popullit shqiptar. Do bëjnë ata përpjekjet e tyre, por populli do i japë atë që meritojnë. Fundi i diktatorëve dihet. Këtë fund do kenë. Nuk mbahet kurrë pushteti me dhunë. I ati shpirtëror i Edi Ramës, Enver Hoxha dhe Rramiz Alia u përpoqën ta mbajnë me dhunë. Kurrë një popull nuk mbahet me dhunë. Këta mendojnë se shqiptarët mund t’i sundojnë dhe jo t’i qeverisin. Ta harrojnë!“, tha ai.
Ora 17.45 Protestuesit i bie të fikët te Pallati me Shigjeta, Bardh Spahia i jep ndihmën e parë (VIDEO)
Nuk ndalen incidentet në protestën e sotme të Partisë Demokratike, e cila është shpërndarë në 5 pika kryesore të Tiranës. Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se tek Pallati me Shigjeta, një protestuesi i ka rënë të fikët. Siç shikohet nga pamjet, qytetarët e tjerë janë pranë personit që i ra të fikët, për t’i ardhur në ndihmë. Ndihmën e parë qytetarit ia ka dhënë Bardh Spahia.
Ora 17.40 Pamjet e përplasjes së policisë me protestuesit
Protestuesit bllokuan sheshin Wilson, kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, Pallati me Shigjeta, rrethrrotullimi i Zogut të Zi dhe Bashkia e Tiranës. Policia kërkoi nga protestuesit të lirojnë rrugës për të mos paralizuar qarkullimin e automjeteve, duke përsëritur se kjo është kundravajtje penale. Rezistencës së protestuesve policia iu përgjigj duke ndërhyrë për hapjen e rrugëve, duke shtyrë protestuesit. Te Bashkia e Tiranës, Policia përdori edhe makinën e ujit për të larguar mbështetësit e opozitës nga rruga.
Ora 17.30 Makina e policisë hedh ujë me presion drejt protestuesve
Te Bashkia e Tiranës ka tensione të shumta, ndërsa ndaj protestuesve është hedhur ujë me presion ndaj protestuesve me synim shpërndarjen e tyre. Raportohet se disa protestues janë dëmtuar si pasojë e presionit të ujit.
Ora 17.25 VIDEO/ Mosbindja civile e opozitës, një protestuesi i bie të fikët
Nuk ndalen incidentet në protestën e sotme të Partisë Demokratike, e cila është shpërndarë në 5 pika kryesore të Tiranës. Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se tek Pallati me Shigjeta, një protestuesi i ka rënë të fikët. Siç shikohet nga pamjet, qytetarët e tjerë janë pranë personit që i ra të fikët, për t’i ardhur në ndihmë. Ndihmën e parë qytetarit ia ka dhënë Bardh Spahia.
Ora 17.23 Përplasje te sheshi Wilson
Një tjetër përplasje e fortë ka ndodhur te sheshi Wilson, duke iu bashkuar në këtë mënyrë 4 pikave të tjera ku po protestohet. Petrit Vasili pretendon se është goditur nga punonjës të policisë, ndërsa policia ka kërkuar që të lirohet rruga. Ka një përplasje fizike mes punonjësve të policisë dhe protestuesve.
Ora 17.20 Opozita bllokon rrugën te Bashkia e Tiranës, ndërhyn Policia
Një përplasje tjetër është regjistruar mes protestuesve dhe Policisë në zonën e Bashkisë së Tiranës, një nga 5 pikat që mbështetës të opozitës kanë bllokuar rrugën. Ka pasur një përplasje fizike mes protestuesve dhe punonjësve të policisë. Kjo e fundit ka kërkuar që të mos bllokohen rrugët.
Ora 17.18 Tensione dhe përplasje, Policia nis shpërndarjen e protestuesve. Ç’po ndodh me protestën e opozitës
Tensione dhe përplasje në protestën që po zhvillon opozita në Tiranë, ndërsa ka pasur akuza për dhunë nga ana e forcave të rendit ndaj mbështetësve të opozitës. Policia ka kërkuar zhbllokimin e rrugës në 5 akset që janë bllokuar nga protestuesit. Protestuesit janë përqëndruar te Bashkia, Ura e Elbasanit, sheshi Wilson, Zogu i Zi dhe Pallati me Shigjeta.
Ora 17.16 Protestuesit bllokojnë Rrugën e Elbasanit
Policia i ka drejtuar thirrje protestuesve që të largohen nga Ura te Rruga e Elbasanit dhe të zhbllokojnë rrugën.
Ora 17.10 Bylykbashi përplaset me policët civilë te Zogu i Zi
Deputeti i PD Oerd Bylykbashi është përfshirë në një përplasje verbale me dy punonjës civil të policisë pranë Zogut të Zi. Dy protestues janë shoqëruar nga punonjësit e policisë pas bllokimit të rrugës në këtë zonë, e cila ka sjellë edhe përplasjen verbale.
Ora 17.07 Përplasje te Rruga e Elbasanit dhe Zogu i Zi
Përplasje mes deputetëve dhe forcave të policisë në të paktën 2 nga pikat ku mbështetës të opozitës po protestojnë. Përplasjet kanë ndodhur fillimisht te Ura e Rrugës së Elbasanit dhe paralelisht me të edhe te Zogu i Zi.
Ora 17.05 Policia bën shoqërimet e para për bllokimin e rrugëve
Deputetët Flamur Noka dhe Xhelal Mziu janë parë pranë vendit ku ka ndodhur përplasja mes protestuesve dhe efektivëve. Policia ka shoqëruar disa persona pas përplasjes.
Ora 17.00 Nis mosbindja civile, bllokohet qarkullimi te Bashkia e Tiranës
Pikat ku po protestohet
1 BASHKIA
Deget 7, 9, 10 dhe 14
Deputetet: Edi Paloka, Dhurata Cupi, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Ina zhupa
Kryesi: Aldo Bumci, Belind Kellici, Besart Xhaferri, Grigels Mucollari, Ylli Asllani, Ervin Minarolli
2 RRETH RROTULLIMI ZOGU I ZI
Deget 11, Kamëz, Vore, Durres, Kavaje, Rrogozhine, Kukes
Deputete: Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Ferdinand Xhaferri, Andia Ulliri, Petrit Doda, Flamur Hoxha, Isuf Cela, Asllan Dogjani, Fisnik Qosja
Kryesi: Floriana Garo, Gent Strazimiri, Fatbardha Kadiu, Jola Hysaj, Bislim Ahmetaj
3 RR ELBASANIT, URA TE XHAMIA
Deget 1, 2, 3, 4, 8, Qarku Diber, Qarku Elbasan, Qarku Korce
Deputete: Flamur Noka, Tomorr Alizoti, Xhelal Mziu, Jozefina Topalli, Jorida Tabaku, Kreshnik Collaku, Edmond Spaho, Sorina Koti, Andrea Mano, Qani Xhafa, Zheni Gjergji, Dashnor Sula
Kryesi: Ivi Kaso, Edit Harxhi, Clirim GJata, Florion Mima, Eleina Qirici, Mimoza Hajdarmataj, Megi Balliu
4 Sheshi Willson
Deget 5, 12, Qarku Fier, Berat, Vlore
Deputetet: Gazmend Bardhi, Bujar Leskaj Luan Baci, Bledion Nallbati, Lefter Geshtenja, Eralda Bano, Ilda Dhori, Saimir Korreshi,
Kryesi: Enno Bozdo, Keltis Kruja, Genc Deromemaj, Indrit Hoxha
5 Pallati me Shigjeta
Deget 6, 13, 15, 16 Qarku Lezhe, Qarku Shkoder
Deputete: Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli, Lindita Metaliaj, Helidon Bushati, Emilia Koliqi, Ramadan Lika, Greta Bardeli
Kryesi: Luciano Boci, Bardh Spahia, Ledina Mandia, Lorenc Luka, Klevis Balliu
(BalkanWeb)