Protesta paqësore e studentëve në kryeqytet duket se i ka “dhënë zemër” edhe banorëve të qyteteve të tjera të vendit për t’u ngritur në protestë.

Në Shkodër e Kavajë këtë pasdite qytetarët po protestojnë për çmimin e lartë të karburantit.

“Poshtë qeveria, poshtë kriminelët”, dëgjohen brohorimat e qytetarëve në Shkodër.

“Populli është shumë i pakënaqur me Edi Ramën. S’duhet të ndalim protestat që janë ngritur në mbarë vendin. Të shkojmë deri në kryeqytet atje ta përmbysim këtë qeveri,” thotë një shkodran.

“Nëse nuk na plotëson kërkesat qeveria, do të vijojmë me protestat, deri në greve urie,” thanë banorët e tjerë

Pas Lezhës dhe Shkodrës, biznesi i vogël bllokon rrugën në Kavajë në shenjë proteste ndaj taksave të larta dhe ccmimeve të larta.

Kërkesat e përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe të Mesëm, që ndodhen aktualisht në Kavajë, janë 4:

1. Të ndalet projekti korruptiv i zëvendësimit të kasave fiskale

2. Të ulet çmimi i energjisë elektrike me 30%;

3. Të ulet çmimi i karburantit me 300 lekë për litër

4. Të rritet pragu i TVSH-së për Biznesin e Vogel dhe të Mesëm nga 20 mln lekë në vit që është sot në 120 milionë lekë.

Përfaqësuesit e protestuesve të biznesit të vogël dhe të mesëm thonë se 4 pikat janë të panegociueshme.

Mosrealizimi i tyre do të sjellë reagimin e të gjitha bizneseve deri ne bllokim aktiviteti.


Banorët e Lezhës kanë veshur jelekë të verdhë për të protestuar duke marrë shembull nga demonstratat në Paris.

Ndërkohë në Tiranë, studentët prej disa ditësh protestojnë para godinës së ministrisë së Arsimit për plotësimin e disa kërkesave.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: