Kryeministri Edi Rama dha sot një lajm lidhur me goditjen e krimit të organizuar. Në komunikimin e tij javor në ‘Facebook’ ai njoftoi se nesër qeveria do të miratojë Task-Forcë speciale në Policinë e Shtetit, që do të emërohet ‘forca e ligjit’ që do të jetë një veprimtari sekrete ku do të godasë strukturat kriminale.

“Nesër do miratojmë Task Forcën speciale në Policisë e Shtetit. Kjo strukturë e re do marrë përsipër operacionin me afatgjatë kundër krimit të organizuar. Një pjesë e këtij plani të emëruar ‘forca e ligjit’ do të jetë sekret dhe nuk do të ndahet me askënd, vetëm me agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare. Natyrisht nuk do jetë sekret misioni i operacionit që është punuar prej 3 muajsh. Ky operacion do jetë një orë e të vërtetës për marrëdhëniet mes krimit dhe politikës.”, tha ai.

Nder të tjera Rama tha se agjentët e FBI-së do të vijnë këtë javë në Shqipër.

“Shqipëria u anatemua pa të drejtë. Nuk ishte arsye për të anatemuar vendin tonë për vullnetin për t’i bërë pjesë e BE. Nuk jam këtu për të kremtuar suksesin e merituar për luftën ndaj kanabisit, por jam këtu për të thëne se kjo është faza e parë e kësaj lufte, e cila ka hyrë në një fazë të dytë edhe më jetike. Goditja pa pushim e rrjeteve kriminale që kanë përfituar nga kultivimi i kanabisit. Faktet e mbledhura në fushën e betejës janë kokëforta. Nuk përmbysen dot rezultatet në fushën e rendit dhe sigurisë. Sot ka rënie të korrupsionit dhe vrasjeve. Nuk mjafton kjo që kemi bërë. Sot ne nuk jemi në garë me të shkuarën, por në luftë me të ardhmen. Mandati ynë i ri do mbyllet me disa suksese themelore për Shqipërinë që duam. Pra do jetë mbyllja e epokës së pandëshkueshme risë. Jam i bindur që do sjellë rezultate në procesin e reformës në drejtësi. Më mbush me optimizëm edhe përfshirja e agjentëve të FBI. Drejtori i FBI dhe të dërguarit e tij vijnë këtë javë në Shqipëri. Me ambasadorin amerikan Lu nuk jam dakord me gjithçka çfarë thotë, por jam dakord me gjithçka që bën për Shqipërinë. Gjithashtu përshëndes të gjithë miqtë që na mbështetin në këtë fazë të dytë për të bërë shtet. Po punojmë që në këtë operacion të na bashkohen edhe ekspertë të tjerë të huaj. Do luftojmë me krimin e organizuar dhe për tia kthyer popullit paratë e përfituara me anë të krimit. Do marrim kontrollin e burgjeve ku deri më sot ka bërë çfarë ka dashur tepsia”, nënvizoi Rama.

Në komunikimin e tij javor, që këtë herë e bëri nga Vlora, qark në të cilin ai është zgjedhur deputet, Rama bëri paralajmërime të ashpra, ndërsa përmendi disa herë fjalën ‘luftë’, duke nisur nga lufta kundër krimit, për ta mbyllur me luftën patriotike.

“Të tjerët nuk do t’i zërë gjumi. As ata që paguajnë. Kollaj ta këndosh këngën e krimit, për të sunduar pushtetin. Si kryeministër i këtij vendi, ndihem në borxh të madh ndaj gjithkujt që më ka votuar, që të fitojmë sfidat tonat. Vazhdimi i kësaj lufte me vendosmëri, është një borxh ndaj fëmijëve të mi, dhe të gjithë fëmijëve, dhe të atyre që luftojnë në politike. Ky është një borxh që të tjerë para meje nuk e llogaritën fare dhe sot e kërkojnë si llogari nga unë dhe ia kanë faturuar kujto këtë gjë. Borxhin që ta lëmë Shqipërinë më të mirë siç ishte kur e morëm, nuk do më zërë gjumi. Nuk do lë gurë pa luajtur për t’i shkuar deri në fund kësaj lufte që do bëhet e denjë për tu mbajtur mend gjatë si një luftë patriotike.
(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb