Në Zyrih u hodh shorti i kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, aty ku Shqipëria mësoi kundërshtarët. Kuqezinjtë e Sylvinhos do të sfidojnë Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
Kombëtarja jonë “peshkoi” një përfaqësuese gjigande si ajo e “3 luanëve”, ku synimi mbetet marrja e një rezultati pozitiv. Ndaj anglezëve kemi regjistruar statistika negative, pasi i kemi humbur që të gjitha ndeshjet ndaj tyre (6 takime direkte me këtë rival).
Tekat e goglave vendosën Shqipërinë përballë Serbisë, pas 10 vitesh nga sfida e Beogradit.
Kundërshtarë të pranueshëm për skuadrën tonë, mund të cilësohen Letonia dhe Andorra, të paktën në letër.
Vlen të theksojmë se rrugëtimi në grup për Shqipërinë do të nisë në mars dhe do të mbyllet në nëntor.
(J.S/BalkanWeb)