Liverpool vijon dominimin në Premier League. Në një javë ku skuadrat e mëdha gabuan të gjitha, janë të besuarit e Arne Slot, të cilët falë fitores me përmbysje ndaj Leicester 3-1, konfirmojnë me plotë meritë primatin në kampionatin anglez.
Pas suksesit të thellë 3-6 ndaj Tottenham, “Red-sat” kalojnë pa probleme Leicester. Ndeshja nisi më mirë për të besuarit e Ruud Van Nistelrooy, të cilët kaluan në avantazh me Ayew, që në minutën e 6. Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm teksa madje gjetën dy herë edhe shtyllën. Megjithatë përpjekjet u konkretizuan në fundin e pjesës së parë, teksa të besuarit e Arne Slot gjetën golin e barazimit me holandezin Gakpo, pas një goditje mjaft të bukur.
Avantazhi për vendasit erdhi shumë shpejtë, teksa me rifillimin e lojës në pjesën e dytë ishte Jones, që shfrytëzoi saktë një pasim nga Mac Allister nga krahu i djathtë. 8 minuta nga fundi i sfidës ishte egjiptiani Mo Salah, i cili me një diagonale të bukur gjen cepin e djathtë të portës, për të fiksuar shifrat përfundimtare në 3-1.
Vetë tekniku holandez Arne Slot nuk e fshehu gëzimin, pas fitores së radhës të skuadrës së tij: Jam i kënaqur me fitoren e arritur. Në Premier League asnjë ndeshje nuk është e lehtë për t’u fituar. Nuk shohim për momentin tabelën e renditjes, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa shumë ndeshje janë ende për t’u zhvilluar deri në fund dhe se sa shumë punë na duhet për të arriytur objektivin tonë”.
Tabloidi britanik “Star Sport” hapet ditën e sotme me titullin: “7Heaven”, me kryesuesit e Liverpool që pas kësaj fitoreje, thellojnë diferencën me ndjekësit më të afërt në +7 pikë.